Mori 8 mln lekë rryshfet nga vajza e pacientes, Tirja kërkon të dalë nga qelia!

Tire Alldervishi, sanitarja e Sanatoriumit që u hoq si infermiere duke zhvatur familjarët e pacientëve të prekur me Covid-19 kërkon të lërë qelinë. Avokatët e saj kanë paraqitur në prokurori një shkresë ku kërkojnë një masë më të lehtë sigurie për klienten e tyre.

Sipas “ABC News” ata nuk kanë specifikuar masën e sigurisë, por duke qenë se trupi gjykues e ka lënë burg, opsionet janë “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitje”.

Alldervishi u denoncua në “Stop” nga vajza e një paciente të prekur me Covid-19 e cila ndërroi jetë në spital, që thoshte se ajo i kishte marrë 8 milionë lekë të vjetra për t’i shërbyer të ëmës. Vajza e pacientes publikoi edhe disa mesazhe tronditëse ku Alldervishi i kërkonte paratë ose i thoshte të gjente dikë tjetër më të lirë.

Pas kësaj ngjarje Prokuroria e Tiranës ka shtrirë hetimet edhe mbi personelin mjekësor të spitalit Covid-2 “Shefqet Ndroqi”. Organi i akuzës ka sekuestruar kamerat e sigurisë së spitalit për të parë se me kë kishte komunikim 58 vjecarja duke qenë se ajo nuk punonte si sanitare në pavionin ku ishte e shtuar pacientja që humbi jetën nga koronavirusi.

Si ndodhi mashtrimi sipas prokurorisë:

Në derë pacientes i është paraqitur një grua e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Vajza thotë se në momentin e parë i ka kërkuar një shumë prej 2000 lekësh që t’i jepte telefonin mamasë së saj. Më pas i thotë që ta presë në lokal dhe meqë infermierët e tjerë nuk lejoheshin të shkonin në lokal, e ka marrë ajo përsipër duke i kërkuar shumën 10 000 lekë për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin.

Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që Eltjana Sinanaj ka dhënë vetëm 3000 lekë për infermierët dhe 5000 për doktoreshën dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë. vajza e viktimës nuk e dinte a po ja jepnin ilaçet apo jo sepse mami i saj i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnin ata.

Shuma e paguar në total është rreth 800.000 lekë të reja pa llogaritur ilaçet që kallëzuesja sipas instruktimit të Tire Alldervishit i blinte nëpër farmaci të ndryshme për t’ia dhënë mamasë së saj.

Vajza e së ndjerës ka thënë se mamaja është ankuar se sanitarja që e kishte paguar i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, pra të gjitha nevojat personale ajo detyrohej të kryente.

Share With:
Translate »
273 Views