Nazistët e ‘Agimit të Artë’ pengojnë nxënësin shqiptar të mbajë flamurin grek

Një incident ka ndodhur në një shkollë të Santorinit në Greqi, ku protagonistë janë bërë anëtarët e “Agimit të Artë”. Në ditën e pavarësisë së Greqisë, më 25 Mars u organizua ceremonia e mbajtjes së flamurit. Mirëpo kjo paradë u prish pas ndërhyrjes së disa anëtarëve të “Agimit të Artë”.

Për shkak se flamuri i Greqisë mbahej nga një nxënës ekselent me origjinë shqiptare, nazistët e partisë radikale greke ndërhynë duke mos lejuar zhvillimin e paradës. Këtë ngjarje e dënuan drejtuesit e shkollës dhe banorët e komunitetit lokal, ndërsa vlerësuan mësuesit dhe nxënësit për qëndrimin e paanshëm në këtë ngjarje.

Drejtoria e shkollës ka sqaruar gjithashtu se, sipas politikës së gjimnazit, mbajtja e flamurit bëhet nga nxënësi me rezultatet më të mira, pavarësisht përkatësisë etnike dhe kombësisë.

“Ne dënojmë këto sjellje të papranueshme dhe retorikën e izoluar të urrejtjes dhe racizmit. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të parandaluar raste të ngjashme të nacionalizimit në të ardhmen. Flamurin kanë të drejtë ta mbajnë të gjithë fëmijët që studiojnë në shkollat greke”, thuhet në një njoftim të drejtuesve të gjimnazit.

Një rast i tillë i ngjashëm me nxënësit shqiptarë në Greqi që mbajnë flamurin grek, ka ndodhur edhe më 28 Tetor 2017, kur sërish ndërhynë nacionalistët e “Agimit të Artë”.

Share With:
Translate »
626 Views