Ndihmoi në lirimin e Alvin Berishës, Medalje mirënjohjeje për konsullin e nderit në Liban

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka akorduar medaljen “Mirënjohje publike”, Marc I. Ghorayeb, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Shqipërisë në Liban, me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta për sigurimin e kushteve për lirimin nga kampi Al Hol, Siri, të shtetasit shqiptar, Alvin Berisha”.

Ceremonia e dorëzimit të medaljes u zhvillua në Ministrinë e Brendshme, gjatë një vizite që Ghorayeb po zhvillon në Tiranë.

Ministri Lleshaj dha detaje të operacionit të lirimit të Alvinit.

“Gjatë fillimit të muajit nëntor zhvilluam së bashku një punë shumë të rëndësishme, që kishte të bënte me lirimin dhe me sjelljen në atdhe të një qytetari shqiptar, një fëmije, Alvin Berishës, gjatë të cilit zoti Ghorayeb u angazhua personalisht, vetë në cilësinë e Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, në cilësinë e një qytetari të Shqipërisë, në cilësinë të një qytetari të Libanit, por jo vetëm vetë si Marc, por edhe si familje. Gjithë familja e tij u angazhua dhe na krijoi lehtësi të jashtëzakonshme, që mundësuan që Alvin Berisha të kthehej shëndosh e mirë, pranë familjes së tij.

Gjatë ditëve që ishim në Liban përmes kontakteve, angazhimit të tij personal dhe familjar, mundësoi që ne të kishim gjithë akseset e nevojshme pranë autoriteteve të sigurisë në të gjitha nivelet, që nga Ministri i Brendshëm dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese e të inteligjencës. Zhvilluam një aksion shumë të ndërlikuar dhe arritëm të kemi sukses.”

Lleshaj tha se Ghorayeb ka arritur të krijojë një Konsullatë, e cila është model edhe për shumë nga Ambasadat tona.

Share With:



158 Views