Në Seul, një shkollë u mëson koreano-veriorëve si të jetojnë në Jug

Më shumë se një mijë njerëz ikin çdo vit nga Koreja e Veriut. Kur kalojnë kufirin, ata lënë prapa varfërinë, urinë dhe mungesën e lirisë personale. Por edhe në anën tjetër ka vështirësi që i presin ata.

Ato nisin me të mësuarin e të përdorurit të internetit, të kuptuarit se çfarë është televizioni, orientimi në rrjetin e ndërlikuar të transportit dhe përshtatja me një qytet të madh metropolitan.

Shkolla Yeomyung ekziston në Seul për t’u mësuar koreano veriorëve pikërisht se si ata jetojnë në shekullin e 21-të. Rreth njëqind studentë në Shkollën Yeomyung mësojnë të përshtaten me jetën e tyre të re.

“Ajo që pashë kur erdha për herë të parë në Korenë e Jugut më tërhoqi tërësisht”, thotë Pak Sool, njëri prej tyre, për The Guardian. “Të dy vendet janë krejtësisht të ndryshme, nuk e dija se çfarë ishte një kartë krediti, për shembull, dhe këtu njerëzit e përdorin atë çdo ditë”. Interneti, televizioni, por edhe gjuha e njëjtë e folur nga njerëzit e zakonshëm, me shumë fjalë të huazuara nga anglishtja, janë të pakuptueshme për ata që janë lindur dhe rritur në regjimin e Kim.

Shkolla Yeomyung merret me mësimin e lëndëve të tyre shkollore, por gjithashtu dhe veçanërisht si të integrohen në një metropol si Seuli.

Me shpresën për bashkim mes dy Koreve, shkolla i sheh studentët e saj si një urë të mundshme mes dy kulturave. “Ne duam të bëhemi model për arsimin e Koresë së Veriut pas bashkimit”, thotë drejtori Lee Hung-hoon. “Ne gjithashtu duam që studentët tanë të bëhen forcë lëvizëse pas bashkimit, duke marrë pjesë aktivisht në lëvizjen e unifikimit dhe duke përhapur mesazhin e zhvillimit”.

Shumë nga studentët janë të rinj dhe ata duken studentë normalë të universitetit, të cilët argëtohen dhe bëjnë shaka. Por disa komente zbulojnë makthin që ata lanë pas. Për shembull, gjatë një mësimi në të cilin shpjegoheshin llojet e ndryshme të kafshëve, u shfaq një bretkocë në ekran.

Një djalë bërtiti: “Ne shpesh hanim bretkosa në Korenë e Veriut, sepse ishim shumë të uritur, ne nuk merrnim vetëm kofshët, ne e gatuanim të gjithën”. Pak Sool kujton kohën kur mbërriti në Seul në moshën 19 vjeçare. Ishte fundi i vitit 2016 dhe ai e gjeti veten përballë një harte të ndërlikuar metroje. I hutuar dhe i zënë ngushtë, ai duhej të hiqte dorë, sepse për të ishte e pakuptueshme. Sapo ai u largua nga vendi i tij, ai kishte gjetur një strehë të sigurt në Tajlandë. Atje, ai zbuloi internetin dhe shihte në televizior seriale të Koresë së Jugut.

“Deri atëherë unë kam jetuar duke ditur vetëm një pjesë shumë të vogël të botës dhe pastaj papritmas unë dola përballë frontit të madh të gjithësisë dhe ishte tronditëse”, thotë ai.

Pak Sool ka dëshirë të bëhet mjek. “Sistemi shëndetësor i Koresë së Veriut nuk është duke funksionuar mirë dhe nuk ka mjekë të përgatitur, ndaj kur të ndodhë bashkimi, unë shpresoj se mund të kthehen në vendin tim për të trajtuar njerëzit të cilët janë ende duke vuajtur”, thotë ai.

Share With:
Translate »
559 Views