Në shkollë më 31 gusht/ 10 mijë fëmijë nga klasa e parë deri në të pestën kthehen në klasa

Nxënësit e klasave të para deri në të pestën, të cilët nuk kanë mundur të ndjekin mësimin në distancë apo kanë punuar pjesërisht në shtëpi gjatë periudhës mars – qershor për shkak të situatës se koronavirusit do të rikthehen në bankat e shkollës në 31 gusht deri në 11 shtator.

Në çdo klasë që nuk duhet të ketë më shumë se 10 fëmijë në të e ku distanca nga banka në bankë do të jetë 1.5 m do të zhvillohen 40 orë mësimore për dy javë. Gjysma e orëve për lëndën e gjuhës shqipe e gjysma tjetër për matematikën. Mësimi do të nisë në orën 8, ndërsa një orë do të zgjasë 45 minuta.

Sipas sondazheve të ministrisë së arsimit për pjesëmarrjen e nxënësve në procesin mësimor online me mbylljen e institucioneve arsimore rezultoi që afërsisht 10000 fëmijë nga arsimi parauniversitar nuk ishin prezent në mësim për shkak te zonave të thella gjeografike ku jetonin apo pasi ishin pjesë e shtresave vulnerabël. Megjithatë sërish , drejtorët e shkollave në bashkëpunim me mësuesit e arsimit fillor po hartojnë listën e nxënësve që kanë humbur orët mësimore për të llogaritur shkollat që duhet të hapin dyert për dy javë.

Më tej do të caktohet stafi pedagogjik që do të jap mësimin plotësues dhe do të njoftohen prindërit e nxënësve mbi qëllimin e këtij programi, që veç detyrimit për t’u siguruar të gjithë nxënësve të drejtën për t’u arsimuar, synon jo vetëm arritjet e nxënësve por edhe mirëqenien emocionale të tyre për të qenë pranë mësuesve dhe shoqërisë së klasës. Megjithatë mësimi gjatë kësaj kohë nuk do të ketë vlerësim me notë. Ndërsa do të jenë zyrat vendore arsimore në komunikim me bashkinë që do të bëjnë dhe dezinfektimin e ambienteve. Si dhe do të hartohet një rregullore e thjeshtë për shmangien e grumbullimeve dhe kushteve higjieno-sanitare, që mund të shërbejë edhe për fillimin e vitit të ri shkollor në 14 shtator.

Share With:
Translate »
1410 Views