‘Nëna me qira’ lind fëmijën e 6-të
Becky Harris puthi fëmijën e saj të gjashtë, përpara se t’ia jepte atë prindërve të rinj. Ajo lindi një vajzë të shëndetshme, të cilën ia dha një çifti homoseksualësh, pa marrë asgjë në këmbim.
E reja është nënë surrogate (nënë me qira) dhe kjo është hera e gjashtë që lind fëmijë për prindër të tjerë.
30-vjeçarja nga Britania tha se ishte mbushur me emocione nga lindja, se e kishte përkëdhelur të bijën, por nuk e kishte lejuar veten që të afeksionohej më shumë seç duhej. “Ndonëse biologjikisht është gjysmë e imja, baballarët janë prindërit e saj, jo unë”, deklaroi e reja.
Sipas asaj që shkruan “Mirror”, kjo është fëmija i dytë që Becky lind për të njëjtin çift, pasi në 2012-ën ajo u dha atyre një tjetër vajzë, sot 5-vjeçe.
Nënat surrogate nuk lejohen që të marrin pagesë, por ato mund të marrin para për shpenzimet, deri në 15 mijë paund.
Megjithatë, për shtatzëninë e saj të fundit e reja nuk pranoi të merrte asnjë qindarkë. “Të gjithë fëmijët e mi surrogatë janë të veçantë, por kjo e vogla ishte unike, pasi ishte dhuratë e imja për dy baballarët”, shpjegoi ajo.
Fëmija i parë surrogat i Becky-t lindi në 2010-ën, për një çift që nuk mund të kishte fëmijë. Ajo vetë ka një djalë 7-vjeç.