Nga Dr. Polikron Çela: Talasemitë te fëmijët, si duhet të veprojmë

Talasemitë janë një grup anemish të trashëguara me hemoglobinë të ulur, ndër sëmundjet genetike më të shpeshta, me paraqitje klinike e forma të ndryshme. Ato karakterizohen nga një defekt në sintezën e hemoglobinës (një proteinë në rruzazat e kuqe) që ka për detyrë transportin e oksigjenit në të gjitha qelizat e trupit. Një ose më shumë defekte në molekulat e saj bëhen shkak për forma të ndryshme talasemish, njihen rreth 100 variacione dhe secila mund të shkaktojë forma të veçanta të sëmundjes.
Në aspektin klinik, ato që kanë më tepër rëndësi janë alfa dhe beta talasemitë.

Ka hemoglobinën e ulur, mos është me talasemi?
Kini të drejtë të dyshoni, për arsye se në disa zona të vendit tonë hasen jo rrallë raste talasemish, po kjo duhet sqaruar nga mjeku i cili përveç analizave të zakonshme, kërkon dhe disa të tjera (për të vartetuar ose përjashtuar talaseminë), si:
-elektroforezën e hemoglobinës: merret informacion nëse fraksionet e hemoglobinës janë normale dhe defektoze; duke sqaruar nëse fëmija ka talasemi dhe për formën e saj.
–nivelin e hekurit në gjak; për të parë nëse mungon ose është i shtuar.

Ja kjo është rruga që duhet ndjekur, prandaj asnjëherë mos filloni mjekime (me bazë hekuri), pa sqaruar natyrën e saj. Kjo ka rëndësi thelbësore.

Si mjekohet fëmija me talasemi?
Në kushtet e sotme me një shërbim të sëmundjeve të gjakut në të gjithë vendin, sipas mendimit tim, më parë të merret mendimi i hematologëve (ata vendosin nëse do të ndiqet prej tyre ose jo).

Mund të parandalohen?
Deri më sot nuk mund të bëhet asgjë, për të parandaluar duke ndërhyrë në faktorin genetik. Talasemitë mund të parandalohet vetëm me:
-zbulimi i bartësve, duke bërë depistime midis popullatës, sidomos në zona të njohura për këto sëmundje.
-mënjanimi i martesave midis talasemikëve. Sipas disa studiuesve, masa parandaluese më e rëndësishme është se sa i ndërgjegjshëm është çifti, për atë që do të sjellë në jetë, sa rëndësi i kushtojnë ata kësaj sëmundjeje (sidomos kur janë nga zona të njohura ose vuajnë vetë).

Nëse kjo analizë nuk është kryer para martese, atëherë të bëhet para planifikimit të një fëmije.

Share With:
Translate »
717 Views