Nga Rudina Koromani: Sindroma e folesë bosh… Fëmijët largohen, prindërit pikëllohen!

Në këtë periudhë të vitit shumë fëmijë largohen nga prindërit e tyre: dikush ikën nga qyteti larg vendit, dikush tjetër largohet nga fshati në qytet, dikush nga një qytet i vogël drejt një qyteti më të madh;… të gjithë largohen me qëllimin për të studiuar në universitete, kolegje apo për të ndërtuar një jetë te tyre të pavarur. 

rudi

Rudina Koromani, Psikologe Klinike, Terapiste EMDR

Sindroma e folesë bosh është një ndjenjë vetmie e pikëllimi e disa prindërve, kur fëmijët e tyre largohen nga shtëpia për herë të parë, për të jetuar më vete, apo kur largohen për të studiuar në universitet. Nuk është një sindromë klinike.

Largimi i të rinjve nga familjet e tyre është një fenomen normal e i njohur tashmë, ndërkohë që simptomat e sindromës së folesë bosh jo të gjithë i dinë: largimi i fëmijëve tek disa familje lë depresion, humbje qëllimesh jetësore nga ana prindërve, sidomos tek nënat që kanë qenë të përkushtuara me kohë të plotë ndaj fëmijëve të tyre.

Kjo sindromë i prek të dyja gjinitë, por sipas studimeve duket se më shumë të prekura janë nënat. Shumë prej tyre i kanë dedikuar gati 20 vjet rritjes dhe kujdesit për fëmijët, duke e parë mëmësinë si rolin e vetëm kryesor.

swan-lake-nest-eggs-desktop-wallpaper-hd-resolution-1680x1050Kur fëmijët largohen, nënat ndjehen sikur puna e tyre kryesore ka mbaruar, duke u ndjerë të pavlera dhe të çorientuara e pasigurta për kuptimin e të ardhmes së tyre. Por kjo nuk do të thotë se baballarët s’e përjetojnë këtë sindromë. Disa baballarë përjetojnë simptoma depresioni e ankthi të vazhdueshëm për fëmijët e tyre, derisa sigurohen se fëmijët janë të zotë të vetes. Përjetimi i folesë bosh nga ana e baballarëve është shumë i fuqishëm  e ankthioz sidomos kur bëhet fjalë për vajzat e tyre.

Sipas ekspertëve duhen 18 muaj deri 2 vjet për të tejkaluar periudhën tranzitore nga të qenit nënë në një grua të pavarur.

Disa prindër nuk e provojnë këtë eksperiencë, duke qenë se janë të përgatitur psikologjikisht për largimin e fëmijëve të tyre, por disa të tjerë janë shumë të predispozuar,  si martesat jo të lumtura (ku qëllimi i vetëm i martesës ka qenë rritja e fëmijëve), prindërit që kanë një sens të vetes të bazuar kryesisht në identitetin si prindër, apo prindërit që kanë vështirësi të pranojnë ndryshimet e mëdha.

Prindërimi me kohë të plotë dedikuar rritjes e edukimit të fëmijëve sjell predispozita për të vuajtur simptomat e sindromës së folesë bosh. Gjithashtu edhe prindërit që përballen me ngjarje madhore stresuese (si largimi nga puna, ndarja nga partneri, vdekja e një prej bashkëshortëve) duket se kanë më shumë gjasa të përjetojnë simptomat e këtij sindromi.

Simptomat e folesë bosh

Depresion, humbje qëllimesh, ndjenja refuzimi, ndjesi shqetësuese ankthi e stresi për shëndetin e fëmijës. Prindërit që përjetojnë simptomat e sindromit të folesë bosh, shpesh kanë pasiguritë nëse e kanë përgatitur mjaftueshëm mirë fëmijën për tu kujdesur për veten e për të jetuar i pavarur.

Prindërit që ndodhen me folenë bosh përballen me shumë sfida, si: vendosja e marrëdhënieve të reja me fëmijët e tyre, rikrijimi i lidhjeve të humbura ndërmarrëdhënore, gjetja e rrugëve të reja për të mbushur kohën e lirë dhe përballen me individët që kanë pritshmëritë që t’i shohin të lumtur për largimin e fëmijëve të tyre.

Një nga mënyrat për t’u përballur me sindromën e folesë bosh është mbajtja e kontakteve me fëmijën. Zhvillimet teknologjike, celularët e interneti mundësojnë komunikime audio e video që lehtësojnë komunikimet kudo dhe për këdo.

dsc_0584Prindërit që përjetojnë simptomat e folesë bosh pas largimit të fëmijëve duhet të tejkalojnë gjendjet e tyre depresive e të trishtuara duke u angazhuar me aktivitete argëtuese apo profesionale për të mbushur kohën e tyre. Diskutimi i trishtimit të tyre me të tjerë, familjarë, miq, profesionistë mund t’i ndihmojë të tejkalojnë periudhën e cila është vetëm kalimtare.

Shumë studime mbi martesat tregojnë se prezenca e fëmijëve ul kënaqësinë dhe lumturinë në martesa, pasi fëmijët kanë shumë impenjime për prindërit, si financiarisht si edhe në marrjen e kohës.

Prindërit me fëmijë, kalojnë vetëm një të tretën e kohës me partnerët e tyre, kështu që largimi I fëmijëve nga “foleja” ka dhe të mirat e veta për prindërit ; më shumë kohë për të kaluar me njëri-tjetrin.

Për të gjithë prindërit që përjetojnë largimin e një fëmije dhe kanë dhe një fëmijë tjetër për të rritur e edukuar, specialistët rekomandojnë që të përgatiten të planifikojnë se çfarë duhet të bëjnë gjatë periudhës kur foleja të jetë bosh, për t’i paraprirë ndjesive e simptomave të folesë bosh.

Share With:
Translate »
573 Views