Njihuni me çiftin që ka birësuar 29 fëmijë nga e gjithë bota

Në vitin 1985, Jeane Briggs ishte në kishë kur iu tregua një foto e një 2-vjeçari. Ai po jetonte në një jetimore në Meksikë, ishte i verbër dhe ishte rrahur aq keq, sa i ishin thyer këmbët dhe kishte vuajtur dëmtim në tru.

Pa kaluar shumë, Jeane dhe bashkëshorti i saj, Paul, shkuan në Meksikë për të vizituar jetimoren dhe për të takuar djalin e vogël. “E pashë atë duke e ditur se mund të bëhej fëmija ynë”, kujton Jeane. “E dija në vetvete se duhet ta adoptonim”. Disa muaj më pas, kështu bënë.

Abraham është tani 31 vjeç dhe jeton në shtëpinë e familjes në Virxhinian Perëndimore. Ai ka një të dashur dhe pavarësisht dëmtimeve të fëmijërisë, është një muzikant i talentuar që mund të luajë piano, kitarë dhe të kompozojë muzikë.

Qëkur Adam shkoi të jetojë me ta, Briggs-ët kanë adoptuar edhe 28 fëmijë të tjerë nga Rusia, Ukraina, Bullgaria dhe Gana. Ata kanë gjithashtu pesë fëmijë të vetët biologjikë, duke u bërë kështu prindër të 34 fëmijëve.

Mund të mendoni se kjo është e mjaftueshme për çdo prind, por Briggs-ët do të bëhen shumë shpejt një familje edhe më e madhe – Jeane dhe Paul po adoptojnë dy djem të tjerë nga Gana.

“Ata janë tre muajsh dhe ishin braktisur në shkurre”, thotë Jeane. Jabin Kofi dhe John David do t’i bashkohen familjes në SHBA, sapo të përfundojnë procedurat e adoptimit, duke e çuar numrin e fëmijëve të Briggs-ëve në 36.

Secili nga birësimet ka marrë një periudhë të ndryshme kohore – më i shpejti u bë në dy muaj, ndërsa më i gjati mori një vit e gjysmë. Në shumë raste, Jeane dhe Paul kanë mundur të zgjerojnë procesin për shkak të nevojave mjekësore të fëmijëve.

Në 29 vitet e fundit, teksa fëmijët shtoheshin, shtëpia përshtatej për familjen në zgjerim. Tani ka nëntë dhoma gjumi, është mbi 1500 metër katrorë dhe është shtuar sa dyfishi i të mëparshmes.

Por shtëpia nuk është vetëm shtëpi, aty është edhe vendi ku fëmijët shkollohen nga nëna e tyre që e bën këtë prej 30 vitesh.

Çdo ditë të javës në mëngjes fëmijët zgjohen në orën 7, hanë mëngjes dhe bëhen gati për të filluar shkollën në 9.

Sistemi duket se punon mirë dhe ka prodhuar disa të diplomuar kolegji, sipas Jeane. Kjo do të thotë se familjes nuk i duhet të shqetësohet për atë që do të ishte një frekuentim i çrregullt i shkollës nga 32 fëmijët.

Vaktet janë ‘të çmendura’ sipas Jeane. Çdo ditë janë rreth 30 gojë që duhet të ushqehen me mëngjes, drekë dhe darkë. Për shkak të enëve të shumta të palara që bëhen shpejt, familja përdor edhe enë plastike.

Dhe mbi të gjitha, ushqimi nuk është i lirë. Fatura është mesatarisht 1000 dollarë në javë. Puna e mirë e Paulit dhe ekonomia e mirë e Jeane, kanë bërë që t’ia dalin deri më tani.

Fëmijët që janë birësuar, nuk kanë pasur jetë të lehtë. Shumica vuanin nga abuzimi, neglizhenca apo uria përpara se të takoheshin me çiftin.

24-vjeçari Joseph, nga Ukraina Lindore, u la në spital pasi lindi. Ai jetonte në një jetimore kur u adoptua. Në vitin 2005, ai ishte 14 vjeç kur zbuloi se dikush do ta birësonte.

“Tani kam një familje dhe nuk do të shqetësohem se do të më lërë ndokush në baltë. Nëse do të rrija në jetimore, do të kisha vdekur ose do të isha mjeran. Jeta do të kishte qenë ferr për mua, për shkak të nevojave të veçanta që kisha”.

Histori si e Joseph-it janë të zakonshme për familjen, pasi edhe pjesa tjetër e fëmijëve ose është braktisur, ose ka pasur aftësi të kufizuara. 10-vjeçari Andrew nga Bullgaria është i verbër dhe vuajti nga një dëmtim traumatik në tru. Kur Jeane dhe Paul e takuan për herë të parë, ai ishte 5 vjeç dhe peshonte vetëm 7.5 kg.

“Ai po vdiste urie, saqë nuk mund ta ngrinte as kokën”, thotë Jeane. “Por brenda disa muajve, ai po ecte i kënaqur në shtëpinë tonë”.

Cate që është tani 22 dhe Leah, 21, u birësuan nga e njëjta jetimore në Ukrainë.

“Isha në jetimore dhe ata më thirrën në zyrën e drejtorit”, kujton Cate. “Më thanë: ‘Është një familje që do të të adoptojë, dëshiron?’- dhe unë sigurisht që thashë ‘po’”.

Çifti ka adoptuar edhe motra e vëllezër. Për shembull, Tia e cila është 18 vjeçe nga Ukraina Lindore, u birësua së bashku me dy motrat e saj – nëna dhe gjyshi i kishin vdekur nga tuberkulozi. Pak muaj më vonë, i ati iu vra.

Që e re, Jeane ishte e shqetësuar për çështjet që preknin shoqërinë dhe ishte veçanërisht e interesuar për jetimët dhe adoptimin. Edhe atëherë e dinte se donte një familje më të madhe, ndonëse nuk e kishte menduar se do të ishte kaq e madhe.

“Mendoj se gjithë jetën time, edhe kur isha një fëmijë, e dija se do të birësoja dhe se do kisha një familje të madhe. Besimi ka qenë motivimi më i madh… Çdo fëmijë duhet të ketë një familje të dashur”.

Share With:
Translate »
576 Views