“Nuk dua të humbas martesën e tim biri”, përgjigjet psikologia Denata Toçe

Sapo jam diagnostikuar me kancerin e gjirit dhe më duhet t’i nënshtrohem edhe operacionit dhe kimioterapisë. Në qershor bashkë me familjen e nuses caktuam ditën e dasmës së tim biri kur unë ende nuk dija gjë. Ajo që më mundon është fakti se a do të jem dot e pranishme apo jo në këtë ditë kaq të rëndësishme. Dëshiroj me shpirt të jem pranë tij në këtë ditë të veçantë, e kam ëndërruar për gjithë jetën, por nuk e di a do të jem mirë me shëndet apo jo? A mund t’i kërkoj tim biri ta shtyjë ditën e dasmës pa rrezikuar që e fejuara e tij të mërzitet dhe ta marrë për ters?

Përgjigje: Oh, e dashur lexuese. Ju kuptoj shumë mirë se në çfarë situate ndodheni. Por kurajë, kanceri i gjirit është i trajtueshëm dhe mbi të gjitha i mirëkurueshëm. Shumë prej grave sot ia dalin mban paq, sidomos kur i nënshtrohen trajtimit në faza të hershme.

Ajo që më befason tek letra juaj është forca që tregoni për të qenë korrekte dhe në formë për familjen tuaj. T’i asistoni denjësisht djalit tuaj. Kjo është një dashuri shumë e madhe dhe një akt kaq fisnik. Por mos harroni veten tuaj. Ju jeni prioritet në këto momente.

Lëreni djalin tuaj dhe gruan e tij të ardhshme të marrin vendimin e tyre, nëse duan ta shtyjnë apo jo dasmën. Ata do të dinë të tregohen të matur dhe të kujdesshëm për çdo hap. Me siguri që janë në gjendje të vendosin prioritetet në vendin e duhur. Ju thjesht duhet të ndiqni trajtimin. Ky është misioni prioritar. Ju të jeni dhe të ndjeheni mirë.

Rrugëtimi ka mjaft sfida, pasi procesi është i dhimbshëm, por drejt shpresës së mbarë për përmirësim. Mblidhini forcat tuaja për këtë gjë dhe mos nguroni të kërkoni ndihmë njerëzve të dashur t’ju qëndrojnë pranë dhe MOS HARRO, ti je prioriteti.

Mundësia për të bërë një stil jete më të shëndetshme është tani. Në fazat e kimioterapisë, dilni, mos rrini mbyllur, vizitoni natyrën, udhëtoni po mundët. Shqipëria ka mjaft vende të bukura. Ky është prioritet, ndërsa dasma, aty është, do bëhet dhe ju do kënaqeni ndërsa shihni djalin tuaj të kurorëzohet. Dhe pse jo, nipër e mbesa që shpejt mund të vijnë. Suksese dhe shëndet të mbarë në këtë sfidë me shëndetin tuaj.

Revista Psikologjia

Share With:
Translate »
687 Views