Orë mësimore për abuzimin/ Manual për mësuesit dhe adoleshentët për të parandaluar çdo situatë

Me nisjen e vitit të ri shkollor më 14 shtator, ku do të ketë një kombinim të mësimdhënies, mësim në klasë por dhe vijim të mësimit online, gjithashtu vjen me një risi pasi do të përfshihen aktivitete në lidhje me parandalimin e abuzimeve seksuale.

Agjencia për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar ka përgatitur një manual për mësuesit dhe adoleshentët.

 “Është shumë e nevojshme, madje e vonuar. Do ju vij në ndihmë fëmijëve”.

“Në fakt këto njohuri janë të domosdoshme me ato ç’po dëgjojmë në media. Si dhe me prindërit nuk është se flasin shumë”.  

Në këto orë mësimore parashikohet që të zhvillohen improvizime teatrale apo lojëra të ndryshme, ku për ilustrim një prej tyre do të jetë krahasimi I dy situatave që përbëjnë dy sekrete. Në rastin e parë kushëriri i një prej nxënësve i kërkon të mbajë sekret një festë surprizë që do të organizojë ndërsa në situatën e dytë është një nxënës i klasës së 12 problematik dhe u ushtron presion nxënësve që janë më të vegjël se ai që t’I japin paratë që prindërit u japin për t’u ushqyer, në të kundërt do t’i rrahë edhe nëse tregojnë te mësuesit. Pasi njihen me këto situata nxënësit në një letër do të shkruajnë cilën nga sekretet do të tregonin, arsyet pse bënë atë zgjedhje dhe nëse vetë ata janë vënë përballë situatash të tilla e si janë ndjerë.

Parandalimi sipas manualit, duhet të fillojë që në shkollë fillore sepse abuzime ka pasur në të gjitha moshat, ndaj duke krijuar një mjedis të shëndetshëm e të sigurtë në klasë fëmijët do të ndihen të lirshëm për të biseduar mbi ndodhitë personale. Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, fëmijët do të arrijnë të kuptojnë se cfarë është e dëmshme dhe jo për ta, se si mund të përballen me kërcënimet dhe si histori shantazhuese nuk duhet të ndodhin përsëri nëse i ndajnë me njerëzit e besuar. Në planin mësimor nuk do të mungojnë bisedat për marrëdhëniet dhe njohjen e vetvetes me pyetje që lidhen me këto tema si “a ju ka lënduar ndonjëherë dikush? Trupin tënd? Emocionet?” apo përshkrimi i skenarëve kur bashkëmoshatarët tregojnë xhelozi dhe pushtojnë hapësirën tuaj personale. Po  rreziku nga të rriturit? Nga reagimet dhe përgjigjet e nxënësve do të arrihet edhe analizimi I gjendjes së tyre, me synimin për të parandaluar dhunën e abuzimet seksuale te fëmijët. /Kristi Gongo/

Share With:
Translate »
329 Views