Padia: Facebook dhe Instagram janë projektuar me qëllim për t’i bërë fëmijët të varur

Kompania mëmë e Instagram dhe Facebook, Meta, i ka projektuar me qëllim platformat e saj për t’i bërë të varur fëmijët dhe me vetëdije ka lejuar përdoruesit e mitur të mbajnë llogari, sipas një padie.

Padia është ngritur kundër Meta-s nga prokurorët e përgjithshëm të 33 shteteve. Aty pretendohet se kompania e rrjeteve sociale e dinte – por nuk e zbuloi kurrë – se kishte marrë miliona ankesa për përdoruesit e mitur në Instagram, por kishte çaktivizuar vetëm një pjesë të këtyre llogarive.

Në padi gjithashtu pretendohet se në vitin 2021, Meta mori mbi 402,000 raportime për llogaritë e përdoruesve nën 13 vjeç, nga të cilat 164,000 nuk u mbyllën. Ndërkohë nuk është marrë asnjë vendim për 2.5 milionë llogari të tjera të fëmijëve të vegjël, të cilat janë raportuar nga njerëzit që kërkojnë mbylljen e tyre.

Theksohet se ky dhe incidente të tjera shkelin Aktin e Privatësisë dhe Mbrojtjes së Fëmijëve në internet, i cili kërkon që kompanitë e rrjeteve sociale të njoftojnë dhe të marrin pëlqimin e prindërve përpara se të mbledhin të dhëna nga llogaritë e fëmijëve.

Sipas padisë, Meta ka krijuar me vetëdije produkte që krijojnë varësi dhe janë të dëmshme për fëmijët. Dokumentet e kompanisë të cituara në padi përshkruanin disa zyrtarë të Meta-s që pranonin se kompania i projektoi produktet e saj për të shfrytëzuar mangësitë në psikologjinë e të rinjve, duke përfshirë një prezantim të brendshëm të majit 2020 të titulluar “bazat e adoleshencës”, i cili theksoi disa dobësi të trurit të të rinjve që mund të shfrytëzoheshin për zhvillimin e produkteve.

Meta tha në një deklaratë se padia keqinterpreton punën e saj gjatë dekadës së fundit për ta bërë përvojën në internet të sigurt për adoleshentët, duke vënë në dukje se ka “mbi 30 mjete për t’i mbështetur ata dhe prindërit e tyre”.

Share With:
Translate »
76 Views