Pas “dushit të ftohtë”, adoleshentja qetëson të ëmën: Nuk do martohem 16 vjeçe!

Të gjithë fëmijët duan t’u ngjajnë prindërve të tyre dhe modelin pozitiv për të ecur përpara në jetë duan ta gjejnë gjithmonë tek ata. Por kur komunikimi prind-fëmijë mungon krijohet një boshllëk që rrezikon t’i çojë fëmijët në zgjedhje të gabuara në jetë. Pikërisht ky ka qenë mesazhi që është tentuar të përcjellet nëpërmjet historisë së Stelinës dhe mamasë së saj Jonidës.

16-vjeçarja nga Tirana ka rrëfyer në rubrikën “Ka një mesazh për ty” marrdhënien e munguar me të ëmën për shkak të natyrës së mbyllur të kësaj të fundit. Stelina ka lënë të kuptojë se mamaja e saj nuk ka qenë tip i tillë por rrethanat e jetës e kanë bërë më të ftohtë. Jonida është martuar në moshën që ka e bija sot. Në vitin e mbrapshtë të ’97-ës prindërit e saj kishin frikë se mund të binte pre e shoqërisë së keqe nëpërmjet mashtrimit dhe morën vendimin që t’a martonin sa më shpejt. Fryt i kësaj lidhje ishin ardhja në jetë e dy fëmijëve, Stelinës dhe vëllait të saj. Atëherë kur dukej se gjërat po shkonin mirë, ndodhi diçka që e çoi çiftin drejt ndarjes. Kur shoqet e saj ndiqnin shkollën apo shijonin jetën, Jonidës i’u desh të punonte fort (me ndihmën edhe të familjes së saj) që të rriste dy fëmijët. “Mami punon gjashtë muaj në Itali me vëllezërit e saj dhe gjashtë muaj në Shqipëri”, thotë Stelina. I gjithë ky intensitet për të përballuar kostot e jetesës, i ka lënë shumë pak hapsirë Jonidës që të merret me fëmijët. Këtë e vuan më shumë Stelina, tashmë adoleshente, e cila ka më shumë se kurrë nevojë për këshillat e të ëmës. “Edhe gjatë kohës kur është në Shqipëri, ajo pjesën më të madhe të kohës është në punë. Kur ajo është në shtëpi unë jam në shkollë dhe thuajse nuk takohemi fare”, sqaron vajza. Duke mos qenë e mësuar që e vogël që të bisedojë çdo gjë me mamanë, njëlloj si me një shoqe, tashmë Stelina e ka akoma më të vështirë të hapet me të. Ajo thotë se i’a shpreh mendimet apo shqetësimet nëpërmjet mesazheve, jo me biseda direkte siç duhet të jetë normalisht. Duke i dhënë prioritet krijimit të kushteve të mira ekonomike për fëmijët, Jonida ka harruar të komunikojë me Stelinën por një shqetësim e ka konstant: ka frikë se mos vajza bën të njëjtin “gabim” që ka bërë ajo duke u martuar në moshë të re. Ankthin që mund të përjetojë e ëma po të merrte vesh një lajm të tillë, Stelina e ka provuar përpara pak kohësh kur i ka bërë një lojë të ëmës duke i pohuar se ishte lidhur me një djalë. Megjithse i’a kishte sqaruar se kishte qenë thjesht një shaka, ajo nuk i kishte folur për disa ditë sepse nuk e merrte dot veten.
Për t’i përforcuar mesazhin që Stelina kishte ardhur për t’i dhënë të ëmës, stafi i emisionit mendoi që ta vinte në provë Jonidën.

U gjetën dy personazhe për të sajuar një histori sipas të cilës Stelina kishte gjashtë muaj që ishte lidhur me Kevinin dhe babai i tij Albani kishte ardhur për t’i vënë punët në vend me “krushkën e ardhshme”. Megjithse Albani ishte thjesht një nga spektatorët e publikut tek “E diela shqiptare” e ka luajtur shumë mirë rolin e një prindi të shqetësuar për të ardhmen e “djalit”. “Kam ardhur që të bisedojmë si dy të rritur sepse edhe unë nuk do doja që të gjendesha në pozitën tënde”, i ka sqaruar Albani mamasë së Stelinës e cila mbante kokën ulur përballë vështrimit trishtues të Jonidës. E vetmja gjë që ka mundur të thotë ishte që “kisha shumë shpresë tek Stelina” duke u lëkundur për disa momente në besimin e saj ndaj të bijës.

Përpara se të mësonte që kjo ishte thjesht një lojë me personazhe që nuk njiheshin me njëri – tjetrin e as me Stelinën deri pak minuta më parë, Jonida nuk ka pranuar as të takojë “dhëndrin” e ardhshëm. Por kur e gjithë kjo situatë e sikletshme është sqaruar, Jonidës i është rikthyer buzëqeshja.

24242523

E si për t’i vënë kapak shqetësimit të mamasë, Stelina i ka bërë dhe një propozim të guximshëm asaj. “Nuk dua të kesh merak që unë do martohem në këtë moshë që jam sepse e shoh ende të largët atë ditë. Përkundrazi do doja që të martoheshe ti përpara meje e t’a nisje jetën nga e para sepse falë teje ne tashmë jemi bërë të zotët e vetes”. Megjithse ky propozim i Stelinës i ka ngritur humorin Jonidës, ajo e ka përjashtuar si mundësi. “Nuk e mendoj këtë gjë sepse e kam jetën e mbushur plot me dy yje” ka sqaruar ajo, duke presupozuar se do vazhdojë të kujdeset vetëm për fëmijët e saj.


Me murin që ende i ndante me njëra – tjetrën, Stelina i ka dhënë mesazhin mamasë së saj, atë për të cilën kishte ardhur në studio. “Ne nuk kemi një komunikim nënë e bijë siç duhet të jetë, si dy shoqe. Dua të shembim këtë mur që kemi mes nesh”, i ka thënë Stelina me sytë e përlotur të ëmës. Jonida e ka pranuar që marrdhënia me të bijën nuk është aq e ngushtë sa duhet të jetë por është justifikuar me faktin që ka një natyrë të mbyllur dhe që i përjeton shumë gjërat me veten e saj pa mundur t’i ndajë me Stelinën.
“Le të vlejë kjo tronditje për të reflektuar. Kjo gjë që përjetove sot mund të ndodhë vërtetë nëse nuk ke komunikim me vajzën”, ka shtuar drejtuesi e emisionit Ardit Gjebrea për Jonidën e cila ende ishte e emocionuar me çfarë kishte përjetuar. Me siguri që ajo nuk do mbajë mend “dushin e ftohtë” të Stelinës por premtimin publik që e bija nuk do bëjë “gabimet” që ka bërë mamaja dikur. Mbas atij përqafimi të ngrohtë ato tashmë janë një hap më pranë të qenurit shoqe, siç do donin të ishin.

3030313236

Share With:
Translate »
790 Views