Pëllumb Pipero: Parashikohet rritje e infektimeve në gusht, në lojë edhe spitalet rajonale

Gjatë muajit gusht pritet të ketë rritje të të infektuarëve me koronavirus. Kështu tha sot mjeku infeksionist Pëllumb Pipero në një intervistë për Tv Syri. Situata e pandemisë është serioze, theksoi Pipero, dhe shqetësimi kryesor mbetet vjeshta, stinë në të cilën qarkullojnë edhe viruse të tjera. Megjithatë, situata nuk është jashtë kontrollit, shtoi më tej Pipero, madje mendohet që për të kontrolluar situatën, të hyjbnë në lojë edhe spitalet rajonale.

“Situata nuk është e mirë, është serioze, për t’u shqetësuar, por në asnjë mënyrë nuk mund të themi që është jashtë kontrollit. Po të ishte jashtë kontrollit, nuk do të kishte gjurmim, testim, izolim, shtrime në spital…

Gjithsesi, rastet e shtruara në spital janë serioze dhe duhet të na bëjnë të mendojnë për përgjegjësitë e gjithsecilit. Virusi është ende midis nesh. Në këtë situatë, duke qenë se e konsiderojmë veten të gjithë së bashku, të gjithë në një varkë, duhet të ruhemi maksimalisht duke mbrojtur edhe të tjerët”.

Meqenëse ky virus do të na shoqërojë për një kohë të gjatë, pritet që për të lehtësuar gjendjen në spitalet Covid, të hyjnë në lojë edhe spitalet rajonale:

Do të futen në lojë edhe spitalet rajonale. Covid-19 do të na shoqërojë për një kohë të gjatë, duhet të mësohemi të bashkëjetojë me të, jo vetëm qytetari, por edhe sistemi shëndetësor. Sepse ka edhe sëmundje të tjera kronike, vjen gripi stinor. Gjasat janë që ne ende të kemi luhatje me ngritje dhe ulje të numrave pozitivë. Ka indikatorë që dëshmojnë se mund të kemi numra të shtuar gjatë gushtit. Unë mendoj që numrat në këto shifra do luhaten edhe në gusht.”

Share With:
Translate »
683 Views