Përcillen për në banesën e fundit 3 fëmijët që humbën dje jetën në Kosovë

Në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe pikëllimi, sot u përcollën për në banesën e fundit tre fëmijët që humbën jetën tragjikisht në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

Ramë Mahmeti dhe Ideal Rama, të dy 16 vjeç, si dhe Veton Morina, 13 vjeç, u varrosën në prani të familjarëve, të afërmve dhe një numri të madh qytetarësh që kishin ardhur për t’u dhënë lamtumirën e fundit.

Fëmijët humbën jetën të shtunën pasdite si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar, i cili prej vitesh ishte i braktisur dhe i dëmtuar. Dëshmitarët tregojnë se fëmijët ishin duke luajtur pranë objektit kur ndodhi tragjedia.

Banorët e zonës dhe ekipet e shpëtimit nisën kërkimet menjëherë, por fëmijët u gjetën pa shenja jete pas disa orësh. “Duke i thirrur në telefon, dëgjuam zilen që vinte nga rrënojat. Ishte një moment rrëqethës,” rrëfeu një nga banorët.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke e cilësuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Ngushëllime për familjet e viktimave kanë ardhur nga drejtuesit e institucioneve dhe partitë politike në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani përmes një mesazhi publik tha: “Nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e familjeve. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe.”

Komuniteti ka ngritur shqetësime për sigurinë e objekteve të braktisura dhe ka bërë thirrje që autoritetet të ndërhyjnë për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Share With:
Translate »
30 Views