Përhapja e fruthit/ ISHP ngre alarmin: Do të vaksinohen edhe bebet 9-muajshe

Përhapja e shpejtë e virusit të fruthit ka shqetësuar të gjitha autoritetet vendase. Këtë të martë, ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik kanë raportuar para deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë jo vetëm për situatën, por edhe për menaxhimin e saj.
Ekspertët thanë se është marrë një vendim nga komiteti i ekspertëve brenda ISHP-së për fillimin e vaksinimit të foshnjave 9-muajshe që frekuentojnë çerdhet, nëse do të konstatohet qoftë edhe një rast i vetëm me fruth.
“Kjo vaksinë do të aplikohet te të gjitha bebet nëntëmuajshe që frekuentojnë çerdhen, nëse do të ketë një shpërthim epidemik dhe kjo dozë do të konsiderohet zero, pasi do të bëhet doza tjetër sërish, në moshën 12-muajshe”, shprehet Erida Nelaj, eksperte e ISHP-së.
Por, kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se nuk ka gjendje të vaksinës për këtë grup moshë që do të shtohet në kalendarin e vaksinimit. Petrit Vasili tha se situata e fruthit është jashtë kontrollit, pasi nuk janë ngritur strukturat e parashikuara në ligjin e sëmundjeve infektive.
“Shërbimi i inteligjencës epidemike nuk më rezulton të jetë mbledhur. E dini që është miratuar me ligjin e sëmundjeve infektive në vitin 2016 dhe 9 muaj më pas duhej të ishte ngritur ky shërbim? Komiteti kombëtar i imunizimit nuk është mbledhur. Nuk më rezulton. Kush e drejton?”. Po kështu, Petrit Vasili kërkoi që në këtë komision të ishin krerë të këtyre komiteteve që duhej të menaxhonin situatën e fruthit.
Deri më tani, numri i të prekurve me fruth në të gjithë vendin ka shkuar në 132, ku numrin më të madh e zë Tirana, edhe për shkak të dendësisë së popullatës.

Share With:
Translate »
649 Views