Nisur nga rrëfimi i Albës në “Ka Një Mesazh Për Ty” e cila tregoi se si bashkëshorti i saj, Adriani po e përjeton humbjen e së ëmës duke u kapur pas kujtimeve të saj, duke vizituar çdo ditë shtëpinë, Ardit Gjebrea ndan një moment personal. 5 vite më parë, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan humbi nënën e tij, një dhimbje që nuk zbehet kurrë.

Por njësoj si Adriani, Gjebrea shprehet se dhimbja e përfshiu kaq shumë për një kohë të gjatë duke i marrë kohë gjithçkaje tjetër të shtrenjtë sa vendosi të shiste shtëpinë, një vendim që i dha mundësinë të dilte nga gjendja e mëparshme.

Ardit Gjebrea: Unë e kam përjetuar vetë sepse unë kam qenë shumë i lidhur me nënën time kështu që e kisha shumë të vështirë kur ikja në mëngjes nga shtëpia dhe dilja nga dera, ktheja kokën dhe kur ajo nuk ishte aty mua e gjithë dita më shkonte në trishtim dhe e përjetova për një kohë të gjatë derisa e shita shtëpinë sepse nuk po e përballoja dot më.

Tani jam shumë më i qetë, kam përjetimet e mia, shkoj, e vizitoj, e mendoj shpesh etj, por ika nga kjo gjëja që ishte pak shumë. Ishte një presion i jashtëzakonshëm që më trishtonte non stop dhe që ndikonte në jetën time, i merrte pak më shumë se ç’duhet edhe dashurisë së fëmijëve, të bashkëshortes, të punës, të gjithçkaje kështu që është aty, është ai engjëlli që më mbron gjithmonë bashkë me babanë tim, por mendoj që ishte një nga veprimet më të mira që bëra dhe do ua sugjeroja edhe juve.