Përmirësohet e bija e Sergei Skripal, Julia

Julia Skripal, vajza e ish-agjentit rus Sergei Skripal, e helmuar me gaz nervor më 4 Mars bashkë me të atin, është përmirësuar ndjeshëm. Mjekët e spitali në Salisbury ku po trajtohen të dy, babë e bijë, njoftuan se 33-vjeçarja është në një gjendje të qëndrueshme, u përgjigjet pozitivisht trajtimeve, por gjithsesi mbahet ende në kurë klinike 24 orë.

Përmirësimi i Julia Skripal mund të shënojë një pikë kthese edhe për hetimet e autoriteteve britanike, pasi një zgjim i mundshëm i saj, mund të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen.

Gazi nervor ushtarak Novichok, lënda e rrezikshme me të cilën u helmuan Sergei e Julia Skripal u ishte hedhur në derën e shtëpisë. Hetuesit britanikë zbuluan gjurmë të agjentit neurotoksik në portën kryesore të shtëpisë së ish-agjentit të dyfishtë rus në Salisbury.

Çështja ka çuar në pikën më të ulët marrëdhëniet mes dy vendeve. Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi Londrën se nëse nuk paraqet prova për akuzat e saj ndaj Moskës, do ta konsiderojë ngjarjen si një vrasje shtetërore e një shtetasi rus nga autoritetet britanike.

Britania e Madhe dhe rreth 25 vende aleate përfshirë Shqipërinë, kanë dëbuar mbi 130 diplomatë rusë të dyshuar si spiunë, si kundër reagim ndaj ngjarjes.

Share With:
Translate »
643 Views