Prerja e thonjve tek të porsalindurit

Fëmijët e porsalindur shpesh i kanë thonjtë e gjatë dhe kjo bën që ata të lëndojnë veten e tyre. Cila është mënyra e duhur për të prerë thonjtë e një të porsalinduri?
Le të lexojmë disa këshilla të vlefshme:

Si të presim thonjtë e të porsalindurit?

Një nga dyshimet e para të nënës së re është mënyra që duhet të ndjekë në lidhje me prerjen e thonjve të fëmijës së saj. Edhe pse fëmija i porsalindur shpesh i ka thonjtë e gjatë pediatri këshillon që nëna të ndjekë disa rregulla të caktuara, kjo pasi thonjtë e një fëmije që sapo ka dalë nga barku i nënës janë shumë delikatë, dhe nuk mund të konsiderohet thonj të mirëfilltë, pra jo të njëjtë me ato që do të ketë kur të jetë më i rritur.
Thonjtë e parë të fëmijës janë kërce shumë delikate, dhe për pasojë prerja e tyre shumë herët dhe në mënyrë jo korrekte do të rrezikonte lëndimin e fëmijës si edhe shfaqjen e një infeksioni të mundshëm.

Vendosja e dorezave të posaçme

Pediatri këshillon që thonjtë e fëmijës të priten pas 15-20 ditësh nga lindja, ndërkohë që gjatë kësaj kohe mund të përdorni doreza të posaçme, brenda të cilave gishtat do të ishin të lirë.

Ju duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e dorezave, të cilat duhet të kenë material të tillë si:

  • Material që siguron ajrosje të mirë të dorës së fëmijës;
  • Pa rruaza apo pjesë të tjera që mund të shkëputen dhe gëlltiten;
  • Pa fije leshi që mund të futen në rrugët e frymëmarrjes.

Limë, gërshërë apo prerëse thonjsh?

  • Nëse do të donit të prisnit thonjtë e fëmijës qysh në ditët e para të lindjes do të ishte më e përshtatshme përdorimi i limës, pra do të ishte më mirë t’i shkurtonit duke i limuar dhe jo duke i prerë. Limat më të përshtatshme për fëmijë të porsalindur janë ato prej kartoni, pasi duke qënë se janë të buta nuk i shkaktojnë dhimbje fëmijës si edhe nuk i dëmtojnë thonjtë.
  • Në momentin që fëmija rritet, thonjtë e tij mund të priten me anën e një gërshërë të posaçme, e cila e ka majën rrumbullake në mënyrë që të evitohet rreziku i lëndimit të fëmijës. Kjo gërshërë mund të gjendet në farmaci ose në dyqanet e artikujve për fëmijë.
  • Prerësja e thonjve rekomandohet të përdoret kur fëmija të jetë rritur.

Hera e parë e prerjes së thonjve

Hera e parë mund të jetë e frikshme edhe për ju edhe për fëmijën tuaj, dhe për këtë arsye duhet ta bëni në një moment që ai do të jetë i qetë, si për shembull pas banjës ose ndërsa po zgjohet nga gjumi. Prerja e thonjve të fëmijës është shumë e rëndësishme pasi ato mbajnë baktere që mund të futen shumë shpejt në gojën e fëmijës. Pasi kanë kaluar 2-3 javë nga lindja ju mund të prisni rregullisht thonjtë e fëmijës.

Cfarë duhet të keni parasysh ndërsa prisni thonjtë e të porsalindurit:

  • Fiksoni mirë dorën e fëmijës, për të evituar prerjen e lëkurës që ndodhet pranë thonjve apo një lëndim tjetër që mund të vijë si pasojë e një lëvizje të papritur të dorës;
  • Prerja duhet të bëhet në vijë të drejtë, sepse prerja e pjesëve anësore mund të bëjë që thonjtë të rriten keq dhe për pasojë të krijohet infeksion ose të rritet brenda mishit;
  • Mos i lini thonjtë e gjatë pasi fëmija mund të lëndohet.

How to Cut Baby Nails Safely: A Step-by-Step Guide

Share With:
Translate »
47 Views