Protestë kundër abuzimeve seksuale, çfarë do të ndodhë nesër në Tiranë

Rasti i 15-vjeçares së abuzuar seksualisht nga roja i shkollës dhe dy adoleshentë, ka “ngritur” në këmbë shoqërinë civile, personazhet publik dhe institucione të rëndësishme në vend. Një tjetër rast i përsëritur, një tjetër viktimë e abuzuar për afro tre vite nga një 65-vjeçar që e kërcënonte se do i shkruante emrin si e përdalë në muret e shkollës, por që sot qëndron prapa hekurave në pritje për të marrë dënimin e merituar nga togat e zeza.

Si në rastin, edhe të George Floyd, në Amerikë, sot kontinenti i largët është në flakë, protestat kanë degjeneruar në dhunë dhe në plaçkitje të dyqaneve e restoranteve, në viktima, ndërsa disa shtete do të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme si një sprovë tjetër e gjallë se njeriu nuk mund të vdes më për shkak të ngjyrës së lëkurës. Apo rasti tjetër i adoleshentit tek Liqeni Artificial që u dhunua nga policia, sepse kishte shkelur orarin e lëvizjes gjatë karantinës. Një tjetër rast i rëndë që na u përplas në fytyrë, ndërsa e ëma e adoleshentit sot thotë se i biri është në gjendje të rënduar psikologjike.

Ne kemi rastet tona të jashtëzakonshme të viktimizimit, sidomos të gruas në shoqërinë shqiptare, që vazhdon të nënshtrohet, që në vegjëli, që nuk flet dot, që nuk mund t’i bërtasë të vërtetat e hidhura, që nuk mund të bisedojë për gjithçka me pridërit, sepse ka frikë. Nuk i sheh ata si mbështetjen më të madhe apo si mburojë, por si dy njerëz në rolin e prindërimit dhe asgjë më shumë!

15-vjeçarja nga Paskuqani me siguri sot më shumë se kurrë po jeton ditët e ferrit, nga demaskimi i ngjarjes që po i bën media, publiku, shoqëria që është ngritur në këmbë e që nesër do të jetë bashkë në sheshin “Nënë Tereza” në orën 16.00 për të marshuar paqësisht në mbrojtje të të drejtave të gjitha grave dhe vajzave që frymojnë në këtë vend, kundër dhunës dhe abuzimeve seksuale ndaj tyre, që nesër të mos ketë Sara të tjera.

Të shumtë janë personazhet e njohur që i janë bashkuar kësaj nisme e që ftojnë shumë të tjerë t’i bashkohen për një të ardhme më të sigurtë nesër për motrën, shoqen, kushërirën, komshien, të gjitha statuset e bëra bashkë që të mos jenë më viktima të pambrojtura nga monstra që kanë fytyrën e Abazit, rojes së shkollës në Paskuqan. Marshimi pritet të jetë paqësor dhe nuk do të ketë asnjë ngjyrim politik.

Të gjithë ftohen të mblidhen në shenjë proteste për të gjitha ato vajza të reja që kanë humbur fëmijërinë si pasojë e abuzimeve seksuale apo dhunimeve fizike, por edhe të grave që vuajnë pasoja të tilla.

Eja edhe ti!

Share With:



186 Views