Pse shumë shqiptarëve iu duk i çuditshëm komunikimi për lindjen e “Princ Aleksandërit”

Pasi i ashtuquajturi Oborri Mbretëror Shqiptar publikoi komunikatën për lindjen e Princ Aleksandërit, rrjetet sociale u mbushën me komente ironike, jo për lajmin sigurisht, por për mënyrën si u komunikua.  (Lexo me shume)

Formulime si “Lartësia e Tij Mbretërore”, “Princ i Shqiptarëve”, “Trashëgimtari” dhe “Oborri Mbretëror” u bënë objekt humori për shumë shqiptarë dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi edhe në komunikime të mëparshme, reagimi ka qenë i njëjtë. Por pse?


Nuk është e pazakontë që familjet mbretërore ta ruajnë protokollin

Në fakt, përdorimi i titujve mbretërorë nga familje që nuk ushtrojnë më pushtet nuk është as i rrallë dhe as i paligjshëm. Familja mbretërore greke vazhdon të përdorë titujt edhe pse monarkia u shfuqizua me referendum në vitin 1973. Edhe Shtëpia e Savojës në Itali vijon të përdorë tituj ceremonialë dhe të publikojë komunikata familjare, megjithëse Italia është republikë që prej vitit 1946.

Pra, fakti që familja Zogu e prezanton djalin si “Princ Aleksandër i Shqiptarëve” nuk përbën ndonjë shkelje ligjore. Titujt nuk njihen nga shteti shqiptar, por përdorimi i tyre si pjesë e një tradite familjare nuk ndalohet nga ligji.

Atëherë pse reagimi ishte ironik?

Sepse Shqipëria, sot republikë parlamentare, nuk krijoi kurrë një marrëdhënie të ngushtë me monarkinë.

Dikush mund të bëjë krahasimin me Mbretërinë e Bashkuar, por në fakt nuk është krahasimi më i mirë i mundshëm. Atje monarkia vazhdon të jetë institucion kushtetues dhe Mbreti është kreu i shtetit. Kur Buckingham Palace publikon një komunikatë për lindjen e një princi apo princeshe, nuk shihet si njoftim privat i një familjeje, por si komunikim i një institucioni që ekziston dhe funksionon.

Krahasimi më i afërt do të ishte me Greqinë apo Italinë, ku monarkia nuk ekziston më. Megjithatë, edhe në ato vende, familjet mbretërore kanë një histori shumë më të gjatë dhe një kujtesë kolektive që është ndërtuar brez pas brezi.

Pra, historia e monarkisë shqiptare është krejt ndryshe nga ajo e shumicës së monarkive europiane.

Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve në vitin 1928 dhe monarkia ushtroi pushtetin për rreth 11 vjet, deri në pushtimin italian të vitit 1939.

Më pas, vendi kaloi pushtimin, regjimin komunist dhe më pas u organizua si republikë parlamentare. Breza të tërë shqiptarësh u rritën pa asnjë lidhje institucionale, kulturore apo emocionale me një monarki funksionale.

Për shumicën e shqiptarëve, monarkia nuk është pjesë e kujtesës familjare. Pak kanë gjyshër që mbajnë mend vitet e Mbretit Zog dhe askush nuk është rritur në një shoqëri ku familja mbretërore ka qenë pjesë e jetës publike, si në Britaninë e Madhe apo edhe në vende që dikur kishin monarki.

Për këtë arsye, ndryshe nga britanikët që kanë jetuar me monarkinë për afro një mijë vjet, apo edhe nga shumë italianë e grekë që e konsiderojnë familjen mbretërore pjesë të historisë së tyre, shqiptarët nuk kanë trashëguar një marrëdhënie të ngjashme me institucionin e mbretërisë.

Prandaj protokolli përplaset me kujtesën kolektive

Kur një komunikatë flet për “Lartësinë e Tij Mbretërore”, “Princin e Shqiptarëve” apo “Trashëgimtarin”, një pjesë mund ta shohë si një mënyrë legjitime për të ruajtur trashëgiminë e familjes Zogu.

Një pjesë tjetër, megjithatë, e percepton si një protokoll që nuk përputhet me historinë dhe realitetin shqiptar, sepse monarkia shqiptare nuk pati kohë të shndërrohej në një institucion të rrënjosur në identitetin kombëtar.

Me fjalë të tjera, reagimi nuk lidhet aq me familjen Zogu, sesa me raportin që shqiptarët kanë me institucionin e monarkisë. Ligji nuk e ndalon një familje të ruajë titujt dhe ceremonitë e saj historike. Por që këto ceremoni të perceptohen si krejtësisht natyrale, duhet të ekzistojë edhe një kujtesë kolektive që i mbështet, pikërisht ajo që monarkia shqiptare, për shkak të jetëgjatësisë së saj të shkurtër në pushtet dhe mungesës së një vazhdimësie institucionale, nuk pati kohë ta ndërtonte.

Share With:
Translate »
0 Views