Pyetësori i ri që dallon autizmin

Kur një fëmijë nuk i përgjigjet emrit të tij apo nuk bën gjeste kur do të tërheqë vëmendjen, duke u bazuar në moshën e tij, prindërit me të drejtë mund të shqetësohen për mundësinë e autizmit. Por tani një grup shkencëtarësh kanë zhvilluar një test i cili mund t’i provojë dyshimet tuaja.

Ky test që përmban 10 pyetje, i quajtur “Pyetësori për Zhvillimin Psikologjik” është krijuar në mënyrë të atillë që mund të dallojë shenjat e autizmit me një saktësi prej 88%. “Ky pyetësor është një mënyrë e thjeshtë, e besueshme për të dalluar autizmin te fëmijët e vegjël”, thotë autori i tij, Walter Zahorodny nga “Rutgers University” në New Jersey. “Përdorimi i këtij pyetësori do të rrisë mundësitë tona për të dalluar autizmin që në fazat e para, në mënyrë që të ndërhyhet për të zbutur simptomat e tij”.

Rreth 1 në 68 fëmijë diagnostikohet me çrregullime të spektrit të autizmit sipas “Center of Disease Control”, dhe nëse prindërit arrijnë të dallojnë autizmin e fëmijëve të tyre, atëherë terapitë që ofrohen sot mund t’i ndihmojnë këta fëmijë të jetojnë një jetë pak më normale. Për këtë arsye ky pyetësor është kaq i nevojshëm.

Por si funksionon ky pyetësor?

Ky pyetësor konsiston në 10 pyetje të cilave mund t’i përgjigjeni me jo (0 pikë), ndonjëherë (1 pikë) dhe po (2 pikë). Rezultati maksimal është 20 pikë, që do të thotë se nuk keni përse të shqetësoheni ndërsa çdo rezultat nën 12 pikë tregon se fëmija juaj ka nevojë për teste të mëtejshme.

Më poshtë gjeni pyetjet e përfshira në pyetësor:

  1. A bën fëmija juaj gjeste ose tregon me gisht për të tërhequr vëmendjen?
  2. A reagon kur dëgjon tinguj të ndryshëm?
  3. A ju buzëqesh apo ju shikon në sy?
  4. A përgjigjet kur ju thërrisni emrin e tij?
  5. A tregon interes kur shikon fëmijë të tjerë duke luajtur?
  6. A i pëlqen kur luani me të dhe e prekni nga duart?
  7. A i komunikon me të tjerët nëpërmjet gjesteve apo duke folur?
  8. A përdor 3 ose më shumë fjalë në mënyrë të rregullt?
  9. A mund të formojë fraza fjalësh si “dua ujë”?
  10. A qesh edhe ai kur të tjerët qeshin?

Edhe pse testi është mjaft i thjeshtë, Zahorodny sugjeron që testi të mos bëhet nga prindërit në shtëpi, por nga mjeku pediatër, i cili ka trajnimin e nevojshëm për analizimin e përgjigjeve, në mënyrë që rezultati të jetë sa më i saktë.

Share With:
Translate »
644 Views