Roli i prindërve në marrëdhëniet mes binjakëve

Fëmijët binjakë, edhe pse të ngjashëm, kanë një mënyrë të veçantë të ndërtimit të marrëdhënieve mes tyre, por edhe me të tjerët. ndaj edhe prindërve u këshillohet që të krijojnë një raport të kujdesshëm me secilin prej tyre.

Në krahasim me vëllezërit “tradicionalë”, binjakët kanë avantazhin që kanë lindur dhe janë rritur bashkë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ndaj janë mësuar me praninë e njëri-tjetrit, madje edhe me marrëdhënien e prindërve. Diferencën thelbësore e bëjnë prindërit, të cilët duhet të gjejnë një ekuilibër gati të përsosur në ngritjen e raportit me secilin prej tyre. Çdo fëmijë duhet të ketë të njëjtat gjëra si të tjetrit, si ato materiale (të njëjtin numër lodrash, librash, hapësirë në dhomë etj.) dhe emotive (vëmendjen, pjesëmarrje në aktivitetet shtëpiake etj.). Të bësh krahasim midis fëmijëve binjakë është pothuajse e pamundur për një prind. Por nga ana tjetër është normale që prindërit të bëjnë pyetje në lidhje me dallimet për zhvillimin e shpejtësisë fizike dhe të karakterit të fëmijëve. Ndonjëherë nuk do të ishte keq që këto ndryshime t’i mbanit edhe shënim. Padyshim që për këtë ju nuk duhet të ndiheni prindër të këqij, por është e nevojshme të jeni të vetëdijshëm dhe të mbani për vete ndonjë dyshim apo preferencë. Kur fëmijët zihen midis tyre, është mirë që të ndërhyni sa më pak të jetë e mundur. Binjakët krijojnë midis tyre një raport të veçantë dhe i duhet të mësojnë të diskutojnë dhe të bëjnë paqe në mënyrë të pavarur. Nëse situata rëndohet, është e drejtë të ndërhyhet, por pa caktuar domosdoshmërisht “fajtorin” dhe “viktimën”. Të dy duhet të konsiderohen përgjegjës për zënkën dhe më pas i qortoni në mënyrë të barabartë. Binjakët janë persona shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe këtë nuk duhet ta harroni asnjëherë. Për prindërit është e natyrshme t’i drejtohet secilit fëmijë në mënyrë të ndryshme, në varësi të karakterit, nevojave dhe prirjeve të tij. Për pjesëtarët e tjerë të familjes (gjyshërit, xhaxhallarët, dajat, shokët etj.) mund të jetë më e vështirë, por edhe ata duhet të sforcohen që të arrijnë ta bëjnë këtë gjë gjatë kohës që do të kalojnë me fëmijët. Në kohën e regjistrimit në shkollë, shumë mësues këshillojnë që binjakët t’i vendosin në klasa të ndryshme (mbi të gjitha nëse janë të të njëjtit seks). Në këtë mënyrë, çdonjëri nga ta do të ketë grupin e tij të shokëve ndërsa mësuesit dhe shokët e klasës nuk do të mund të bëjnë ngatërresa të asnjë lloji midis vëllezërve. Edhe në shtëpi do të ishte më mirë që të përpiqeshit të mbanit sa më të ulët shpirtin e konkurrencës shkollore midis binjakëve. Në të kundërt, më i “dobëti” në shkollë mund të ndihet i prekur nga vëllai i tij më i mirë dhe më i shkathët, ndërsa ai vetë mund të ketë probleme në seri. Një nga gjërat më interesante të binjakëve është se ata arrijnë shumë shpejt një shkallë të drejtë autonomie. Fakti që mund të mbështeten te njëri-tjetri i forcon shumë ata, qoftë në marrëdhëniet me prindërit, qoftë në problemet që mund të hasin në të ardhmen ose në jetën shoqërore.

Share With:
Translate »
753 Views