Romeo Beckham debuton në Hollywood, roli i tij i parë vjen në një dramë romantike tenisi
Romeo Beckham, djali 23-vjeçar i David dhe Victoria Beckham, do të bëjë debutimin e tij në aktrim me filmin “Forty Love”, i cili pritet të dalë në kinema më vonë gjatë këtij viti.
Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2024, ku ishte pjesë e ekipit B të Brentfordit, Romeo po nis një kapitull të ri në Hollywood.
Filmi, i drejtuar nga Pierre-Ange Carlotti, zhvillohet në Rivierën Franceze dhe rrëfen historinë e Sacha Gallo, një talent i tenisit që stërvitet me të atin me synimin për të fituar një trofe të madh në Paris.
Megjithatë, planet e tij ndryshojnë kur përballet me një rival të ri, të interpretuar nga Romeo, i cili jo vetëm sfidon aftësitë e tij sportive, por edhe i vë në pikëpyetje bindjet për jetën dhe veten.
Sipas përshkrimit të filmit, protagonisti përballet për herë të parë me një kundërshtar krejt ndryshe, dashurinë, e cila paraqitet si një forcë emocionuese, por edhe destabilizuese.
“Forty Love” përshkruhet si një histori romantike dhe e ndjeshme mbi rritjen, sportin e nivelit të lartë dhe emocionet që fshihen pas suksesit.
Në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe Paul Kircher, Guillaume Canet, Catherine Deneuve dhe Benjamin Voisin, ndërsa muzika do të realizohet nga 070 Shake dhe Johan Lenox.
Romeo Beckham
Ndërkohë, është publikuar edhe imazhi i parë i Romeo Beckham në rol, ku ai shfaqet me flokë shumë të shkurtra përballë kolegut të tij Paul Kircher.
