Studimi: Ekspozimi i bebeve ndaj mikrobeve, parandalon astmën

Ekspozimi i fëmijëve të porsalindur ndaj baktereve mund të ndihmojë në parandalimin e astmës te ta, kur të rriten, këshillon një studim i ri. Zbulimi përkrah teorinë se fiksimi modern me higjienën dhe pastërtinë ka çuar në një bum alergjish dhe problemesh me shëndetin.

Sipas “hipotezave të higjienës”, ekspozimi ndaj baktereve është i nevojshëm për të nxitur sistemin imunitar në vitet e para të jetës. Shumë shkencëtarë besojnë se shoqëria moderne, me maninë e saj të pastërtisë dhe përdorimin e shpeshtë të antibiotikëve, i bën fëmijët shumë të ndjeshëm ndaj alergjive të padëmshme.

Studimi më i fundit, i publikuar në revistën “Mjekësia natyrore”, mund të çojë në trajtime bakteriale, ku fillimisht mikrobet u jepen qëllimisht të porsalindurve.

Shkencëtarët zbuluan se kur minjtë e porsalindur ekspozoheshin ndaj alergjenëve, ata kishin më shumë mundësi të mos prekeshin nga astma. Studime të tjera kanë treguar tashmë se ekspozimi frymor ndaj baktereve mund të jetë i dobishëm në kontrollin e alergjive që merren në rrugë frymore te minjtë e rritur, thonë shkencëtarët.

Skuadra, e udhëhequr prej dr. Benjamin Marsland, nga Universiteti i Lausanës në Zvicër, shkroi: “Studimi ynë aktual tregon se trajtime të tilla mund të optimizohen shumë, duke rritur numrin e zhvillimeve që ndodhin te të porsalindurit.

“Një hap kyç do të jetë përkthimi i këtyre zbulimeve të bëra te minjtë, në dobi të të porsalindurve te njerëzit. Më shumë se pesë milionë njerëz në Britaninë e Madhe marrin trajtime për astmën, përfshirë këtu 1.1 milionë fëmijë. Rreth 1250 britanikë vdesin nga astma çdo vit, ku shkalla e vdekshmërisë është e treta më e lartë në Europë, pas Estonisë dhe Spanjës.

Numri i viktimave të astmës po rritet çdo vit e më shumë. Sulmet e astmës shkaktohen nga përgjigjet e forta imunitare ndaj alergjive të nxitura, për shembull nga pluhuri i shtëpisë, kafshët apo ndotësit e ajrit.

Studimi tregoi se minjtë e porsalindur ishin të pambrojtur ndaj inflamacionit të mushkërive kur ekspozoheshin në alergjenë. Por kur mushkëritë e tyre kolonizoheshin nga mikrobet, ata zhvillonin qeliza imune që janë antiinflamatore dhe e parandalojnë astmën.

Qelizat rregullatore T e mbanin sistemin imun në kontroll dhe nuk lejonin përhapjen e inflamacionit. Ruajtja e minjve në kushte sterile për të parandaluar kolonizimin nga mikrobet, i bënin ata shumë të ndjeshëm ndaj parazitëve dhe kjo çonte në astmë kur rriteshin.

Ndërveprimi me një proteinë të quajtur PD-L1 ishte jetësor në zhvillimin e këtyre qelizave, zbuluan shkencëtarët. Kur PD-L1 bllokohej, kishte të njëjtin efekt si mosfurnizimi me mikrobe, një përgjigje e ekzagjeruar ndaj shkaktarëve të alergjive që vazhdonte të përkeqësohej në moshë madhore.

Shkencëtarët shkruan: “Në përgjithësi, koncepti i zhvillimeve të hershme ndaj alergjisë në mushkëri, bazuar në kolonizimet e mikrobeve, është një sfidë për paradigmat patopsikologjike dhe paraqet mundësi unike për modifikimet pas lindjes në të ardhmen. Provat që mbështesin hipotezën e higjienës janë gjithnjë e në rritje.

Në vitin 2011, një studim i kryer mbi 1400 fëmijë, i kryer nga studiuesit e Universitetit Jeill në SHBA, arriti në përfundimin se bebet që kishin marrë antibiotikë kishin 70 për qind rrezik më të lartë të vuanin nga astma në fëmijëri.

Shkencëtarët mendonin se rreziku i prekjes nga astma mund të jetë shkaktuar nga fakti se antibiotikët kanë larguar një pjesë të baktereve, të mira apo të këqija, nga trupi i bebeve.

Ato sugjeronin se ilaçet e kishin privuar sistemin imun të fëmijës nga një zhvillim normal dhe i shëndetshëm. Në vitet përpara se të shfaqeshin antibiotikët dhe lëndë të tjera për higjienën, sistemi imunitar i njeriut ishte mësuar me bakteret dhe i injoronte ato që ishin të padëmshme.

Por, në një mjedis përgjithësisht të pastër, sistemi imunitar mund të reagojë së tepërmi ndaj provokimeve të vogla, si nivelet e padëmshme të baktereve.

Mbi 800 pacientë vdesin nga astma çdo vit, sepse doktorët i japin receta me mjekime të gabuara, shprehen fizikanët e Royal College. Raporti zbuloi se gabimet në përshkrimet mjekësore ndodhnin në gjysmën e vdekjeve, ndërsa shumë pacientë e humbnin jetën ngaqë anashkalonin kontrollet e rregullta në spitale.

Share With:
Translate »
874 Views