Rrjebulla tek fëmijët, si ta trajtojmë

Dermatiti atopik (ekzema ose rrjebulla e fëmijëve) është një sëmundje kronike, me shkaqe të panjohura, që vihet re në personat me histori personale ose familjare për atopi. Fillon herët në fëmijëri. Karakterizohet nga pruriti ose kruajtja, lezione ekzematoze dhe tharje e shprehur e lëkurës. Dermatiti atopik shoqërohet me sëmundje të tjera atopike (astma, riniti alergjik, urtikarie) dhe rritje të IgE.

75 – 80% e pacientëve me dermatitit atopik kanë histori familjare ose personale për sëmundje alergjike. Incidenca e dermatitit atopik në familje kur një prind ka sëmundje alergjike (astma alergjike, riniti alergjik dhe/ose dermatitit atopik) është 60% dhe 80% nëse të dy prindërit kanë historik të sëmundjeve alergjike.

Zbuloni disa nga shkaqet dhe shenjat klinike të kësaj sëmundjeje.

Mjekimi

  • Hidratimi i mirë i lëkurës është mjaft i rëndësishëm në trajtimin e dermatiti atopik në çdo stad të sëmundjes. Rekomandohen banja frekuente me vaj për 5-10 min. Pas banjës, lëkura të mos fshihet menjëherë dhe përdorimi i emolienteve (kremrave hidratues ) kur lëkura është e lagët, me qëllim që të absorbohet uji nga shtresa e sipërme e lëkurës.
  • Kortikosteroidet lokale: për fytyrën rekomandohet hidrokortizon 1% dy herë në ditë. Në trup kortizonikë me fuqi të mesme si fluocinolon acetonid 0,025% ose triamcinolon ose desonide. Kortizonikët duhet të përdoren për një kohë të shkurtër për të shmangur efektet anësore të tyre.
  • Antiflamatorët jo steroid kufizojnë mjaft përdorimin e kortizonikeve lokalë.
  • Kortizonikët sistemikë përdoren në format e avancuara për një kohë të shkurtër.
  • Antibiotikët sistemike në raste mbi infeksioni bakterial.
  • Antihistaminikët për të qetësuar pruritin (kruajtjen).
  • Trajtimi i infeksioneve mykotike dhe virale.
  • Fototerapia: Terapia me UVA, UVB të vetme ose të kombinuara ose PUVA (përdorimi për një kohë të gjatë çon në rritje të riskut për malinjitet të lëkurës).
  • Identifikimi dhe eliminimi i faktorëve acarues. Lëkura e pacientëve me dermatitit atopik është e thatë, e ndjeshme dhe irritohet mjaft lehtë, prandaj duhen të evitohen sapunët që shkaktojnë tharjen e lëkurës. Pacientët me dermatitit atopik duhet të minimizojnë djersitjen në ambientin rrethues. Ata duhet të punojnë dhe të flenë në ambientet me temperaturë konstante dhe lagështirë 45-55%.
  • Dyshekët prej leshi dhe pupla, dhe kafshët që mund të luajë fëmija, duhet të evitohen. Veshjet duhet të jenë prej pambuku.
  • Noti është i rekomandueshëm. Por larjet në pishina sjellin tharje të lëkurës nga klori, prandaj rekomandohen dushet menjëherë pas daljes nga pishina dhe përdorimin e emolienteve (pomadave zbutëse) në të gjithë trupin.
  • Aeroalergentet (faktorë alergjikë që thithen nga rrugët e frymëmarrjes) dhe ushqimet mund të jenë faktorë shpërthyes. Veza, peshku, qumështi i lopës, produktet e sojës, kikirikët, drithërat janë produktet ushqimore më të shpeshta që mund të shpërthejnë dermatitin atopik. Provat alergjike të lëkurës japin një informacion më të gjerë në këtë drejtim.

Share With:
Translate »
2435 Views