Rudina Magjistari tregon arsyen pse e quan të bijën Mia Luleqingji
Hashtagu #Mialuleqingji në Instagram është i njohur për të gjithë miqtë e Rudina Magjistarit. Nëse klikoni mbi të do t’ju shfaqen përpara të gjitha fotot e moderatores së njohur të Tv Klan me të bijën, duke filluar që nga periudha e shtatzënisë e deri sot, kur Mia po përgatitet të fillojë pushimet e dyta verore. Por deri më sot ne nuk e kishim kuptuar pse Rudina e quan të bijën Mia Luleqingji që nga lindja e saj dhe çfarë kuptimi ka ky hashtag aq familjar tashmë për të gjithë miqtë virtualë të moderatores. Në programin e sotëm të pasdites, Rudina kishte të ftuar gazetaren e njohur të kulturës, Arta Marku, e cila para se të hynte në rolin e së intervistuarës, nuk mund të dilte nga roli i gazetares. Enkas për drejtuesen e “Rudina”, ajo solli në studio një dhuratë të përsonalizuar me hashtagun Mia Luleqingji. Sapo ia dorëzoi kornizën e qëndisur Rudinës, Marku i kërkoi asaj të tregonte për publikun çfarë kuptimi ka ky hashtag të cilin ajo e ka bërë aq familjar për të gjithë. Pasi e falëndëroi për dhuratën e veçantë, Rudina vendosi ta ndajë me publikun sekretin e Mias. Historia e këtij hashtagu lidhet me fëmijërinë e Rudinës, kur ajo ishte vetëm 3-vjeçare. Siç tregon ajo, në atë kohë, nuk i njihte mirë lulet dhe bimët dhe këtë “detyrë” e kishte marrë përsipër vajza e tezes së saj, që ishte tre vjet më e madhe: “Kur kam qenë e vogël, vajza e tezes (tre vjet më e madhe se unë) ka qenë duke më treguar cilat ishin luledelet dhe lulet e tjera. Mbaj mend në një lëndinë, kur ajo këputi disa lule të mëdha për të m’i treguar dhe shpjeguar. Atëherë, unë gjeta një lule të vogël dhe i thashë: “Meqenëse ato janë luledele, kjo duhet të jetë lule qingji….” Prej atëherë mbeti luleqingji… Është një histori që është treguar shpesh në familjen time.” Tani që Mia ka edhe një dhuratë më shumë me hashtagun e saj të personalizuar, Rudinës, pa dyshim, nuk do i duhet shumë për t’i shpjeguar së bijës se cilat janë luledelet. Ajo i njeh ato në çdo petal… që kur ka lindur.