Sërish problem! Dy vite pas tërmetit, vazhdon të mungojë transporti “i premtuar” i fëmijëve në shkolla

Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 solli mes fatkeqësive e problemeve të pafundme, edhe dëmtimin e shumë shkollave në vend. Një pjesë e mirë e godinave u shembën ndërsa për të mos penguar mbarëvajtjen e mësimit, nxënësit u dërguan në shkolla të tjera pranë zonës së tyre, teksa orët u zhvilluan me turne.

Mirëpo, një pjesë e konsiderueshme e nxënësve ndodhej larg shkollave të caktuara për të zhvilluar mësimin pas tërmetit, ndaj u detyruan të pezullonin mësimin.

Kështu, Ministria e Arsimit premtoi transport për të gjithë nxënësit në pamundësi për të përshkuar largësi të mëdha për të ndjekur mësimin.

“Në zonat rurale me distanca më të mëdha mes shkollës së dëmtuar dhe asaj pritëse, kemi siguruar transport. Kemi ndarë buxhetin, kështu që të gjitha bashkitë që do na ndihmojnë me transportimin e nxënësve nga shkolla e dëmtuar në atë pritëse do të rimbursohen nga buxheti.”- thuhej në njoftimin e Ministrisë.

A u mbajt fjala prej tyre? Kjo gjë është zbatuar deri të hënën e 6 janarit që kur ka rinisur mësimi. Por jo më tej.

Nxënësit vazhduan të hasnin vështirësi me transportin dhe një pjesë e mirë e tyre u detyrua të ndërpriste mësimin, ndërsa qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk lëvizën as gishtin e vogël për të ndihmuar në këtë situatë.

Sot, dy vite pas tërmetit, ende ka probleme me transportin e fëmijëve nëpër shkolla.

Mësimi është kthyer në sfidë për fëmijët e fshatit Sanxhak të Kurbinit dhe zonave përreth. Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Gjok Elezi” ka përfunduar prej më shumë se 1 muaj, por nuk ka hapur dyer për shkak se mungon energjia elektrike. Në këto kushte, 400  nxënës janë të detyruar ta zhvillojnë mësimin pasdite në qytetin e Laçit, i cili ndodhet 5 kilometra larg fshatit të tyre.

 “Në Laç ngaqë nuk e hapin këtu, mbytemi në autobus”, tregoi një nxënëse.

“Është shumë e vështirë, ne kemi shkollën afër fare dhe detyrohemi i çojmë fëmijët me autobus”, u shpreh një gjyshe,

“Na kanë thënë se nuk është përfunduar shkolla jonë dhe detyrohemi të shkojmë në Laç”, tha një nxënëse e cila detyrohet të shkojë në shkollë përditë me autobus.

Kur do të zbatohet siç duhet ‘premtimi’ i Ministrisë për sigurimin e transportit të nxënësve?

Share With:
Translate »
19 Views