Shenjat që tregojnë se fëmija juaj është hiperaktiv

Në përgjithësi fëmijët janë shumë aktivë, të rrëmujshëm dhe impulsivë. Shpesh luajnë me shumë zhurmë dhe adhurojnë të ngjiten apo të vrapojnë. Adhurojnë të eksplorojnë botën përreth tyre. Nuk është e pazakontë për ta që mos të dëgjojnë më të rriturit, të mbajnë mend apo të ndjekin udhëzimet. Prindërit në të gjithë botën ndjehen herë pas here të pafuqishëm që t’i detyrojnë fëmijët të bëjnë disa detyra apo thjesht harrojnë apo hutohen nga një aktivitet tjetër më interesant. Shumë fëmijë janë gjithashtu të pakujdesshëm, humbasin gjëra dhe nuk presin radhën. Kjo është pjesa normale e të qënurit fëmijë. Por kur disa simptoma të ngjashme zgjasin më shumë se 6 muaj apo problemet shtohen si në shtëpi dhe shkollë çfarë ndodh…

Çfarë është ADHD (mungesë vëmendjeje/ hiperaktivitet)
ADHD është një çregullim neurologjik që ndikon në mënyrën e të mësuarit të fëmijëve, sjelljen dhe funksionimin e tyre social dhe emocional.

Karateristikat e përbashkëta të ADHD-së
Fëmijët me ADHD zakonisht kanë vështirësi të ndjekin instruksionet dhe të bëjnë detyrat, të kontrollojnë impulset e tyre, të dëgjojnë apo të përshtaten. Ata gjithashtu e kanë të vështirë të mbajnë gjërat e organizuara apo të kujtojnë detyrat e shtëpisë. Si rezultat, edhe nëse kujtohen t’i plotësojnë ato, harrojnë t’i marrin me vete në klasë. Personat me ADHD jo vetëm që kanë problem në klasë, por përballen me një ose disa sfida ndërpersonale. Kanë problem me aftësitë shoqërore, si përfshirja me të tjerët apo krijimi i miqësive.
Ata gjithashtu shfaqin nivele të larta të aktiviteteve motorike, si vështirësi në qëndrimin në bankë, në klasë apo “lajthitjet” në shkollë apo jashtë saj. Ata janë veçanërisht impulsivë dhe mund të pësojnë shumë aksidente për shkak të kësaj. Nganjëherë ata lëndojnë dhe të tjerët për shkak të hiperaktivitetit të tyre.

Fëmijët me ADHD
Për një fëmijë me ADHD, sjelljet normale dhe sfidat e fëmijërisë shumëfishohen. Simptomat e ADHD-së janë të dukshme, kronike dhe shkatërruese dhe shkaktojnë probleme serioze për fëmijën në shkollë, shtëpi dhe me miqtë.
Ky çregullim neurologjik ndikon në aftësitë e fëmijës për të mësuar, sjelljen e tyre dhe funksionimin social dhe emocional.

Si është jeta për një fëmijë me ADHD
Është shumë e vështirë të jetosh me këtë çrregullim , pasi fëmija mund të përjetojë një spektër ndjenjash. Disa prej tyre mund të jenë acarimi ose frustrimi, të ndjerit i humbur, i pa lidhur apo i hutuar ose të ndjerit i ngarkuar më shumë seç duhet, i pa pushuar dhe jashtë kontrollit. Kështu që shpesh fëmijët me ADHD emërtohen si “fëmijë i keq” ose “dembel” ose “budalla”, ndërsa kjo nuk është aspak e vërtetë.

Dieta për fëmijët me ADHD
Një dietë e balancuar fruta-perime, drithëra dhe produkte të qumështit pa yndyrë, ku përfshihen mishi, peshku, bishtajoret, vezët dhe arrat është baza për rritjen e shëndetshme të çdo fëmije. Këtu përfshihen dhe fëmijët me ADHD.
Ushqyerja e mirë mund të luajë një rol shtesë në trajtimin e fëmijëve me këtë çrregullim, pasi simptomat mund të kontrollohen më mirë.
Jennifer Shu, MD, pediatre dhe bashkëautore e “Luftërat e ushqimit” thekson se: “Studimet tregojnë se fëmijët me dietë ushqimore të shëndetshme kanë performancë më të mirë në shkollë”.

Këshilla për ushqyerjen e shëndetshme.
Dr. Shu sugjeron që prindërit t’u japin shumëllojshmëri ushqimesh në çdo vakt apo mesvakt.
Uria mund të shkaktojë probleme. Një fëmijë i uritur ka vështirësi në përqendrim, acarohet më shpejt. Kapërcimi i vakteve dhe mesvakteve mund të çojë në uljen e sheqerit në gjak. Si rezultat, fëmijët mund të jenë të grindur dhe me lëvizje humori. “Studimet kanë treguar se sheqeri nuk i përkeqëson simptomat e ADHD-së, por kufizimi i ushqimeve me sheqer të shtuar ju ndihmon të mbani në kontroll peshën, sigurisht dhe të gjitha efektet e padëshiruara të këtyre lloj ushqimeve. Një përqindje e vogël e fëmijëve me ADHD bëhen të ndjeshëm nga disa lloje ushqimesh, si ato të ngjyrosura apo me konservues. Nëse fëmija juaj ushqehet me një dietë të shëndetshme dhe ju shihni përmirësime në sjellje e tij, këshillohuni me pediatrin se si mund t’i shtoni disa vitamina në dietën e përditshme”.

Simptomat ADHD
Simptomat e ADHD zakonisht grupohen në tre kategori të mëdha:
Probleme në përqendrim dhe shpërqendrim i shpeshtë
Të qenit hiperaktiv
Të qenurit impulsiv ose të bërit e gjërave pa i menduar mirë.

Tipet e ADHD
Fëmijët mund të kenë ADHD edhe nëse nuk i kanë të gjitha simptomat e këtij çrregullimi.
ADHD, Tipat e pavëmendshëm- përfshin fëmijët që kanë më së shumti simptomën e pavëmendjes, nuk u kushtojnë rëndësi detajeve, shpërqendrohen lehtë, harrojnë etj.
ADHD Tipi Hiperaktiv/Impulsiv, fëmijët që kanë simptomat e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit, mosqëndrimi në një vend, të folurit pa pushim, ndërpresin të tjerët, kanë problem të presin radhën etj.
ADHD, tipi i kombinuar- nëse fëmija ka të gjithë llojet e simptomave të këtij çrregullimi.

Share With:
Translate »
1535 Views