Shërohet Altea që dogji 70% të trupit, kthehet pranë familjes

Ka kaluar çdo rrezik për jetën dhe është gati të kthehet pranë prindërve të saj në Peqin, Altea, vogëlushja 2-vjeçare e cila pësoi djegie të rëndë në mbi 70 % të trupit të saj pasi ra aksidentalisht në një tenxhere me qumësht të ngrohtë. Historia e Alteas preku mbarë opinionin, veçanërisht pas apelit prekës të babait të saj, që në gjendje të dëshpëruar, kërkoi ndihmë nga çdo person që do e ndjente t’i shpëtonte jetën vajzës së tij vetëm 2-vjeçare. “Dua ndihmë që të shpëtojë goca. Nuk ma bën zemra të them dua lekë se më duket sikur do më marrin për mashtrues, por unë nuk kam bukë të ha. Lekët i dua vetëm për gocën, të shpëtojë goca, nuk dua asgjë tjetër”, shprehej babai i 2-vjeçares. Lajmin e mirë e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili përmes disa fotove në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, tregon gjendjen e Alteas. Ajo është jashtë rrezikut për jetën, dhe shumë shpejt do të jetë pranë familjes së saj. “A ju kujtohet Altea, bebja që u dogj dhe kishte vetëm një fije shprese për jetën? Sot ajo është jo vetëm përfundimisht jashtë çdo rreziku, po gati për t’u kthyer në shtëpi me prindërit e saj”, – shkruan Rama. Djegiet i prekën vogëlushes edhe organet jetësore, mes tyre edhe veshkat. Prindërit ishin duke punuar kur motra 16-vjeç sapo kishte valuar qumështin dhe Altea ra brenda tenxheres. Ajo u soll me shpejtësi në Spitalin e Djegie Plastikës në Tiranë. Babai i saj, Shefit Jubi me lot në sy, tregoi se si vajza e vogël u dogj pasi po priste të hante një vezë. “Fëmijët thonë që ka qenë duke ecur nga mbrapa dhe ka rënë në qumështin që sa kishte dalë nga zjarri. Ishte mësuar që hante vezë çdo mëngjes, dhe vajza 16 vjeçare i kishte vënë vezë, dhe ajo ka ecur mbrapsht për të shmangur motrën”, thotë Shefiti.

 

Share With:
Translate »
3107 Views