Shifra alarmante në Tiranë, numri marramendës i minoreneve që kanë abortuar në një vit
Në spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në vitin 2016 ka pasur 20 aborte nga nën 20-vjeçaret dhe së paku në tre raste ato kanë qënë nën moshë. Kurse në maternitetin “Koço Gliozheni”, numri i tyre është 35. Por problemi ndërlikohet sepse për shkak të ligjit shtrëngues, nga spitalet shtetërore vajzat shtatzënë po u drejtohen klinikave private apo pilulave abortive.
“Mirë do të ishte që në momentin që fillon jeta seksuale, vajza t’i drejtohet një mënyre tjetër kontracepsioni, ose me pilulën e rregullt për gratë, ose me prezervativ për meshkujt dhe të hiqet dorë nga pilulat e urgjencës, të cilat kanë risqe dhe nuk rekomandohen sidomos për moshat e vogla”, deklaron Arian Alikaj, gjinekolog pranë “Koço Gliozhenit”.
Me ligj, shtatëzania mund të ndërpritet deri në muajin e tretë, por ka klinika private në vend që për 300 euro guxojnë të ndërhyjnë edhe kur fetusi është 5-muajsh. Doktor Arian Alikaj veçon një rast kur materniteti ku ai punon nuk mori përsipër ndërprerjen e shtatëzënisë së një minoreneje. “Një vajzë 14-vjeçare erdhi në spital e shoqëruar nga tezja pasi kishte 5 muaj pa i ardhur. Pas ekografisë u konfirmua që ishte 18 javë shtatëzënë. Ka lindur tek ne dhe ka lindur me operacion për shkak të moshës shumë të vogël që kishte. ”, thotë Alikaj. Kurse gjinekologu Blenard Nonaj tregon një rast tjetër. “Pacientja erdhi me hemoragji. Pas ekzaminimeve tona u pa që kishte lindur në shtëpi. Pasi u shtrua, sollën edhe bebin pranë institucionit tonë”, thotë Nonaj. Por si të mbrohen vajzat nga shtatëzania e padëshiruar, kur prindërit vetë janë të parët që ngurrojne? “Ne kemi principe të tjera edhe nga ç’ekzistojnë brenda Ballkanit për përdorimin e kontraceptivëve. Kemi frikëra shumë të mëdha, ndërkohë që e vetmja frikë që nuk kemi është ngelja shtatëzanë”, shton Aliko.