Shpëtohet mrekullisht foshnja 11-muajshe e sëmurë, transportohet me helikopter në Tiranë

Një foshnje 11 muajsh u shpëtua sot nga ekipi i mjekëve të urgjencës kombëtare mjekësore dhe Njësisë së Helikopterëve në fshatin Basdren të Dajtit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në pamundësi për të mbërritur ambulanca për shkak të bllokimit nga dëbora, foshnja u transportua nga Njësia e Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë pranë qendrës spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku aktualisht është nën kujdesin e mjekëve.

Mjekët e spitalit Pediatrik në QSUT konfirmojnë se foshnja tashmë është stabilizuar dhe nuk ka rrezik për jetën.

Po sot, në një tjetër mision të Njësisë së Helikopterëve, mjekët ja dolën të shpëtojnë një grua 60 vjeçare nga Kaçinari i Mirëditës me probleme kardiake, e cila ishte bllokuar nga dëbora prej disa orësh dhe nuk transportohej dot në spital me autoambulancë.

Ndërhyrja e ekipit të mjekëve dhe Njësisë së Helikopterëve shpëtoi 60-vjeçaren e cila u dërgua në spitalin e Lezhës ku po trajtohet nga ekipi I mjekëve të këtij spitali.

Për çdo urgjencë shëndetësore, ftojmë qytetarët të telefojnë në numrin 127 të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Share With:
Translate »
686 Views