Shpëtoi nga barku i nënës së vdekur, ndërron jetë edhe foshnja në Gaza
Një foshnjë e shpëtuar nga barku i nënës së saj, e cila ndërroi jetë pas një sulmi ajror izraelit në Gazën Jugore, ka ndërruar jetë. Foshnja Sabreen al-Sakani (e cila mori emrin e nënës) u lind me prerje cezariane në një spital në Rafah pak pas mesnatës të së dielës.
Mes një situate mjaft kaotike, mjekët e ringjallën foshnjën duke përdorur një pompë dore për të futur ajrin në mushkëri. BBC News raporton se e vogla ndërroi jetë të enjten dhe është varrosur pranë nënës së saj.
Foshnja Sabreen ishte mes 16 fëmijëve të vrarë në 2 sulme ajrore në Rafah gjatë fundjavës së kaluar. Të gjithë u vranë si pasojë e një bombardimi që synonte kompleksin e banesave ku ata jetonin. Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se kishin në shënjestër luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit.
E ëma e Sabreen ishte 7 muajshe e gjysëm shtatzënë kur sulmi ajror i Izraelit goditi banesën e familjes së saj gjatë mesnatës të së shtunës, ndërsa bashkëshorti i saj Shukri dhe vajza e tyre 3-vjeçare Malak ishin në gjumë.
Nëna pësoi lëndime të mëdha dhe burri i saj dhe Malak u vranë, por foshnja ishte ende gjallë në barkun e nënës së saj kur punonjësit e shpëtimit arritën në vend. Ata e çuan Sabreen në spital, ku mjekët kryen një prerje cezariane urgjente për të lindur fëmijën, por nëna pati fatin tragjik: Ndërroi jetë.
Pas lindjes, dukej se e foshnja ishte stabilizuar dhe më pas ajo u vendos në një inkubator, por megjithatë gjendja e saj ishte kritike dhe nuk ia doli dot të mbijetonte./