Shqipëria do të ketë një regjistër të të dënuarve për krime seksuale

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar në fund të seanës maratonë mbrëmjen e djeshme ligjin për “Rregjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”, një ligj i cili ka bërë bashkë deputetët e mazhorancës dhe të opozitës.

Në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se përmes këtij ligji synohet të kufizohet kontakti fizik apo virtual.

“Është një projektligj që mbi të gjitha respekton të drejtat themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutën tonë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, është një ligj që vjen i përafruar gjithashtu me direktivën e Bashkimit Europian dhe mbi të gjitha që vendos në përparësi absolute mbrojtjen dhe interesin më të lartë të fëmijëve. Ndaj, është shumë e rëndësishme që ky ligj të fillojë menjëherë zbatimin e tij. Sigurisht, nuk do të jetë pilula çudibërëse, por do të jetë një instrument më shumë në dorën e institucioneve por edhe në vetëdijen qytetare, i cili do të ndihmojë realisht në përpjekjen e madhe për të parandaluar rastet apo edhe për të ulur shkallën e recidivizmit përsa i përket krimeve apo abuzimeve seksuale”, tha Manastirliu.

Gjatë vitit 2021, më shumë se 2300 fëmijë në rrezik janë mbështetur nga programet e mbrojtjes sociale, ndërkohë që më shumë se 70 fëmijë janë marrë në mbrojtje.

Projektligji për “Regjistrin Kombëtar të Dënuarve për Krime Seksuale” u iniciua si nismë e 28 organizatave të shoqërisë civile dhe u mbështet nga mbi 20 mijë qytetarë që firmosën për këtë projektligj, i cili u miratua në unanimitet në mbyllje të seancës së fundit për këtë sezon, në Kuvendin e Shqipërisë.

Share With:
Translate »
92 Views