Shqiptari bëhet hero në itali, shpëton nënën dhe vajzën nga shpërthimi: Nuk dua asgjë, më mjafton falenderimi
Një shqiptar është quajtur hero ën Itali, pasi ka shpëtuar nga flakët një nënë italiane dhe vajzën e saj të mitur.
Një shpërthim i fuqishëm e zgjoi nga gjumi beratasin Nertil Qato. Kur doli jashtë ai pa një banesë që kishte shpërthyer në flakë e tym për shkak të gazit në kuzhinë.
31-vjeçari shqiptar dëgjoi thirrje për ndihmë dhe nuk u mendua dy herë. Ai mori shkallën që ndodhej në pjesën e pasme të furgonit të tij dhe u ngjit në banesë.
Fillimisht zbriti poshtë vajzën 14-vjeçare, më pas edhe nënën e saj.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Dëgjova një shpërthim dhe dola jashtë. Pashë banesën që ishte shembur pjesërisht, flakë e tym të zi. Dëgjova një thirrje për ndihmë dhe nxitova. Vendosa shkallën dhe u ngjita në katin e dytë. Aty nuk dukej gjë për shkak të tymit të zi. Por dëgjova zërin e një vajze, e mora në krahë dhe e zbrita poshtë. Më pas edhe nënë e saj. Shkova edhe një herë tjetër për t’u siguruar që nuk kisha lënë njeri pas”, tregon ai, raporton newsbomb.al.
Veprimi i shqiptarit ka tërhequr vëmendjen e kryebashkiakut të Livornos, i cili e dekoroi me një çmim special dhe i premtoi procedura të përshpejtuara për të përfituar leje qëndrimi.
“Veprime të tilla duhet të vlerësohen. Ne kemi antitrupa të cilat na ndihmojnë të mos influencohemi nga ata që thonë se emigrantët janë të ligj. Sigurisht që s’kam pse i kërkoj leje Salvinit”, u shpreh kryebashkiaku i Livornos.
“Jam i lumtur për ta. Jam i lumtur që i shpëtova. Nuk do ta harroj kurrë atë përqafim. Nuk dua asgjë, më mjaftoi falenderimi”, u shpreh 31-vjeçari Nertil Qato.