Shtatzëna për herë të parë?!

Pasi ngelin shtatzënë, femrat përballen me një rritje të menjëhershme të estrogjenit dhe progesteronit, por edhe me ndryshimet në sasinë e funksionin e shumë hormoneve të tjera.

Ja se cilat janë ndryshimet e trupit që ndodhin gjatë kësaj periudhe

Gjatë shtatzënisë, disa ndryshime hormonale, fizike dhe psikologjike janë më se normale. Ne po ju paraqesim disa nga ato më të zakonshmet që ndodhin pothuajse te të gjitha gratë shtatzëna. Ndoshta shumë prej jush i kanë provuar, por ato të cilat e kanë për herë të parë, do të mësojnë se çfarë do të presin.

Ndryshimet hormonale

Pasi ngelin shtatzënë, femrat përballen me një rritje të menjëhershme të estrogjenit dhe progesteronit, por edhe me ndryshimet në sasinë e funksionin e shumë hormoneve të tjera. Ndryshimi i tyre jo vetëm ndikon në humor, por edhe në efektin që i jep aktiviteti fizik trupit. E rëndësishme është që këto ndryshime hormonale ndihmojnë në zhvillimin e fetusit. Femra prodhon më shumë estrogjen gjatë shtatzënisë se sa gjatë gjithë jetës së saj. Ndryshimi i estrogjenit bën të mundur qarkullimin më të lehtë të ushqyesve nëpërmjet mitrës dhe placentës ndërsa ndihmon në zhvillimin e fetusit. Ky hormon e arrin pikun në 3-mujorin e tretë. Ndërsa gjatë 3-mujorit të parë shkakton të vjella, e në 3-mujorin e dytë luan një rol thelbësor në prodhimin e qumështit, i cili rrit edhe gjoksin. Rritja e nivelit të progesteronit shkakton rritje të uretrës që lidh veshkat me fshikëzën e urinës. Gjithashtu ai ndikon në rritjen e mitrës duke e bërë të përshtatshme për mbajtjen e fëmijës.

Lidhja e hormoneve me ushtrimet fizike

Edhe pse këto hormone janë të domosdoshme për suksesin e një shtatzënie, ato mund ta bëjnë më të vështirë kryerjen e ushtrimeve fizike. Gratë shtatzëna janë më të rrezikuara për ndrydhje apo dëmtime në gju apo kyçe, duke qenë se ligamentet janë më të ndjeshëm e të lirshëm. E gjithë pamja e femrës ndryshon. Gjinjtë janë më të mëdhenj, pjesa e barkut nga e sheshtë merr një formë gjysmërrethi, duke rritur edhe harkun e shpinës. Rrjedhimisht ndryshon edhe qendra e gravitetit të trupit duke ndikuar në sensin e ekuilibrit.

Shtimi në peshë, ruajtja e lëngjeve dhe aktiviteti fizik

Shtimi në peshë është shumë i zakonshëm gjatë shtatzënisë. Por kjo ndikon në vështirësimin e kryerjes së aktiviteteve fizike, ngadalëson qarkullimin e gjakut dhe lëngjeve të trupit, veçanërisht në gjymtyrët e poshtme. Pjesa më e madhe e tyre vëren një ënjtje të këmbëve gjatë 3-mujorit të dytë. Mbajtja e lëngjeve nga organizmi është përgjegjës për gati 25% të peshës së shtuar. Për të shmangur këtë duhet të lëvizni, të shmangni kafeinën, sodiumin e të konsumoni ushqime të pasura me kalium. Shtimi në peshë është arsyeja kryesore që ndieni vështirësi kur bëni ushtrime fizike.

Ndryshime të flokëve e të thonjve

Ndryshimi i hormoneve ndikon në rritjen e flokëve apo të thonjve. Në shumë raste, mund të ndikojë në rënien e flokëve. Por ka edhe përjashtime ku disa femra pësojnë një forcim dhe rritje të flokëve. Këto ndryshime të flokëve normalizohen pas lindjes e ky proces mund të zgjasë deri në 1 vit pas lindjes. Për sa u përket thonjve, disa femra pësojnë një rritje më të shpejtë të tyre, e disa të tjerave u bëhen më të ndjeshëm e i thyhen.

Ndryshimi i gjoksit

Duke qenë se organizmi përgatitet për prodhimin e qumështit, gjoksi pëson një sërë ndryshimesh të rëndësishme gjatë shtatzënisë. Hormonet që ndikojnë në pigmentimin e lëkurës, e bëjnë më të errët areolën apo lëkurën rreth saj. Ai bëhet më i ndjeshëm dhe i tendosur, venat janë më të dukshme e thithkat më të dala. Madje disave mund t’u krijohen edhe shenja strijesh (smagliatura) veçanërisht nëse kanë pësuar një rritje të menjëhershme. Shpesh mund të shfaqen edhe kokrra të vogla në areole dhe shumica e femrave kanë rrjedhje të një lëngu të trashë e të verdhë (kolostrum) gjatë 3-mujorit të dytë. Ky është fillimi i prodhimit të qumështit. Në disa raste, mund të vini re disa si gjëndra në gjoks, të cilat mund të jenë nga kanalet e bllokuara të qumështit. Nëse ato nuk zhduken, nëse i keni bërë masazh dhe e keni lagur me ujë të ngrohtë për disa ditë rresht, atëherë konsultohuni me një doktor.

Ndryshime të qafës së mitrës

Qafa e mitrës pëson ndryshime gjatë shtatzënisë. Ajo bëhet më e trashë, e fortë dhe në formë gjëndre. Gjithashtu prodhon një mukozë të trashë për të mbrojtur mitrën. Disa javë para lindjes, qafa e mitrës zbutet dhe zgjerohet pak nga presioni i fëmijës. Në momentin e lindjes, ajo zgjerohet shumë, zbutet dhe hollohet duke ndihmuar në daljen e foshnjës.

Ndryshime vizive

Disa femra pësojnë edhe ndryshime vizive të karakterizuara nga rritja e miopisë (sheh nga afër, por jo nga larg). Megjithatë pas lindjes, ato kthehen në gjendjen e mëparshme. Ndryshime të zakonshme janë turbullimi i shikimit dhe vështirësi në mbajtjen e lenteve. Ato mund të pësojnë rritje të presionit të syve dhe akoma më të rrezikuara janë femrat me probleme me sytë apo me diabet të cilat mund të shkojnë deri në shkëputje të retinës së syrit apo humbje të shikimit.

Ndryshim i shijes dhe nuhatjes

Ndjesia e shijes ndryshon duke pasur preferencë për ushqime më të kripura apo më të ëmbla se sa femrat jo shtatzëna. Rënia e aftësisë për të shijuar është më e dukshme gjatë 3-mujorit të parë. Pas lindjes ato kthehen në normalitet dhe i shijojnë ushqimet si më parë. Madje disa mund të përjetojnë edhe një shije metalike në gojë, duke i provokuar akoma më shumë të përzierat dhe ky mund të jetë edhe një tregues i një diete jo të mirëbalancuar. Për sa i përket nuhatjes, ajo bëhet shumë e ndjeshme ndaj aromave të ndryshme.

Hiperpigmentimi i lëkurës

Femrat gjatë shtatzënisë mund të kenë edhe probleme me lëkurën. Edhe pse disa mund të jenë të përkohshme, disa të tjera lënë shenja të përhershme (strijet). Një ndryshim i lëkurës është ai i hiperpigmentimit. Kjo ka të bëjë me errësimin e ngjyrës së lëkurës në pjesë si: areole, në pjesët intime dhe në plagët apo shenjat. Më shumë se 70% e femrave pësojnë një errësim të lëkurës së fytyrës, duke u njohur si “melasma apo njolla”. Këto mund të përkeqësohen edhe me ekspozimin në diell, prandaj mos e ndani kremin mbrojtës. Në shumë raste, lëkura rregullohet pas lindjes.

Strijet (smagliaturat)

Janë ndryshimet e njohura si çarje të lëkurës apo zgjerim (strije ose striae gravidarum) që shkaktohen nga tërheqja e lëkurës dhe nga ndikimi i hormoneve. Rreth 90% e femrave përballen me këtë problem, zakonisht në 3-mujorin e tretë, në pjesën e barkut dhe të gjoksit. Edhe pse këto shenja mund të mos zhduken plotësisht, ato pas lindjes mund të zvogëlohen e të përshtaten me ngjyrën e lëkurës.

Ndryshimi i nishaneve

Hiperpigmentimi, si pasojë e ndryshimit të hormoneve, mund të ndryshojë edhe ngjyrën e nishaneve. Pas lindjes përgjithësisht gjithçka normalizohet, por disa ndryshime mund të jenë edhe të përhershme.

Frymëmarrja dhe ndryshimi i oksigjenit në gjak

Kur jeni shtatzënë, sasia e ajrit që hyn dhe del nga mushkëritë rritet me 50%. Disa femra hasin vështirësi kur marrin frymë thellë, kjo sepse me rritjen e mitrës, lëvizja e diafragmës është më e limituar. Kjo ndjesi duket sikur je “e uritur për ajër”. Ushtrimet fizike mund t’ju vijnë në ndihmë. Gjithashtu femrat shtatzëna kanë një nivel më të lartë të oksigjenit në gjak rreth 10-20% më shumë.

Dehidratimi

Kur ju bëni ushtrime për 20-30 minuta, apo kur i bëni në një mot të nxehtë, apo të lagësht, ju do të djersitni. Humbja e lëngjeve mund të ulë qarkullimin e gjakut në mitër, muskuj apo në organe të tjera. Gjithmonë duhet të rrini e hidratuar, sepse fëmija ka nevojë për oksigjen dhe ushqyes, të cilat sigurohen nëpërmjet gjakut.

Disa këshilla të përgjithshme për femrat shtatzëna gjatë aktivitetit fizik

– Shmangni ushtrimet në natyrë në një mot të nxehtë apo të lagësht

– Ushtrohuni në vende me qarkullim të mirë të ajrit

– Noti është shumë i mirë, pasi nxehtësia shpërndahet me lehtësi në të gjithë trupin

– Konsumoni shumë ujë apo lëngje pa kafeinë gjatë ushtrimeve

– Pini lëngje edhe nëse nuk keni etje

– Vishni rroba të lehta që lejojnë ajrin

– Vishni reçipeta të rehatshme

– Shmangni saunat

– Pas ushtrimeve, mos u lani me ujë të ngrohtë, pa u ftohur më parë

E gjithë pamja e femrës ndryshon. Gjinjtë janë më të mëdhenj, pjesa e barkut nga e sheshtë merr një formë gjysmërrethi duke rritur edhe harkun e shpinës

Më shumë se 70% e femrave pësojnë një errësim të lëkurës së fytyrës, duke u njohur si “melasma apo njolla”. Këto mund të përkeqësohen edhe me ekspozimin në diell, prandaj mos e ndani kremin mbrojtës.

Share With:
Translate »
966 Views