Si t’i parandalojmë strijat gjatë muajve të shtatzënisë
Strijat janë një gjendje relativisht e shpeshtë e lëkurës. Ato nuk përbëjnë një problem të rëndësishëm mjekësor, duke mbetur një problem me natyrë kryesisht kozmetike. Në mënyrë të ngjashme me shumë probleme të tjerë me natyrë kozmetike, personat e prekur prej strijave i shohin ato si çështje relativisht stresuese, pavarësisht nga fakti se ato rrallë kthehen në një problem të mirëfilltë shëndetësor. Nga ana anatomike, strijat paraqesin vraga lineare në shtresën e lëkurës së quajtur dermë, e shoqëruar nga një atrofi e epidermës.
Shkaktarët
Strijat prekin kryesisht atë pjesë të lëkurës që i nënshtrohet shtrirjes së vazhdueshme dhe progresive. Indi lidhor i nënshtrohet një stresi gjithmonë e më të madh si rezultat i shtimit të volumit të pjesëve të ndryshme të trupit. Një shembull tipik është barku dhe gjoksi i grave shtatzëna, shpatullat e personave që merren me ushtrime dhe trupi i personave të prekur nga mbipesha. Tendosja e lëkurës çon në degjenerim të qelizave të caktuara (mastocitet) me pasojë dëmtimin e fijeve të kolagjenit dhe elastinës. Një tjetër mekanizëm është përdorimi i zgjatur i kortikosteroidëve lokalë ose sistemikë. Edhe faktorët gjenetikë mund të luajnë rol në krijimin e strijave, por mënyra se si kjo ndodh është ende e paqartë.
Epidemiologjia
Rreth 90% e grave shtatzëna janë të prekur nga strijat. Siç u theksua më lart, përgjithësisht, strijat mbeten një problem thjesht kozmetik. Në raste tendosje ekstreme ato mund të ulçerohen. Femrat preken më shpesh në raport me meshkujt. Strijat prekin kryesisht adoleshentët, gratë shtatzëna dhe personat me aktivitet të shtuar të gjëndrës mbiveshkore. Strijat në formën e tyre fillestare manifestohen si zona të sheshta lëkure të holluar që mund të shoqërohen me kruajtje të herë-pas-hershme. Gradualisht ato rriten në gjatësi dhe gjerësi dhe marrin një ngjyrë të kuqërremtë (striae rubra), raporton Shëndeti. Sipërfaqja e strijave mund të ketë rrudha të vogla. Strijat mature janë të bardha, kanë një depresion qendror, banda të çrregullta dhe një aks gjatësor i cili shkon paralel me zonën e tensionit të lëkurës (strija alba). Zakonisht janë disa centimetër të gjata dhe 1-10 mm të gjera. Me kalimin e kohës, një pjesë e strijave mund të reduktohen dhe të bëhen të padukshme. Ecuria normale e strijave është pak a shumë e ngjashme me formimin e vragave gjatë shërimit të plagëve.
Strijat e shtatzënisë prekin zakonisht zonën e barkut dhe gjoksin
Faktorët që shkaktojnë strijat janë ende të paqartë, pasi mungon konsensusi i përgjithshëm i ekspertëve dhe kërkuesve. Një sugjerim është se strijat shkaktohen nga prishja e lidhjeve të indit lidhor. Një tjetër hipotezë lidhet me mundësinë që strijat të shfaqen në ato zona të lëkurës ku ka më tepër lidhje rigide të kolagjenit, në raport me lidhje elastike. Kjo e fundit është evidente gjatë shtatzënisë, ushqyerjes me gji, ngritjes së peshave dhe aktiviteteve të tjera stresuese për lëkurën. Gjithsesi, ndryshimet në mjedisin qelizor dhe intraqelizor gjatë formimit të strijave janë ende të pastudiuara.
Trajtimi
Në ditët tona, edhe me përparimet e mëdha në fushën e dermatologjisë, trajtimi i strijave është i mundur. Shmangia e rritjes dhe rënies së shpejtë nga pesha mbetet një mjet i mirë parandalues, veçanërisht tek shtatzënat. Fillimi i hershëm i trajtimit (në stadin e quajtur striae rubra) ka gjasa të shoqërohet me efikasitet më të lartë në raport me stadin e vonshëm të strijave alba, ku qoftë mundësitë e trajtimit, qoftë efikasiteti i trajtimit reduktohet ndjeshëm.
Aloe vera
Aloe Vera është një prej bimëve më të mira për lëkurën tuaj. Përveçse trajton djegiet, ajo mund të bëjë mrekulli të vërtetë mbi strijat. Është e thjeshtë për t’u përdorur: aplikoni aloe vera gel ose vaj mbi strijat dhe lëreni derisa lëkura ta përthithë. Gjithashtu, mund të përzieni aloe vera me vaj nga vitamina E dhe ta aplikoni mbi lëkurë.
Lagështia
Gjëja më e rëndësishme në trajtimin e strijave është lagështia e lëkurës. Konsumoni shumë ujë, përdorni shpesh kremra zbutës, shmangni kafeinën dhe pijet me sheqer dhe të gazuara. Këto zakone do të ndihmojnë trupin tuaj të qëndrojë i hidratuar.
E bardha e vezës
E bardha e vezës bën mrekulli për lëkurën tuaj. Sigurohuni që të aplikoni vetëm të bardhën e vezës. Mund ta bëni këtë dy herë në ditë për të përshpejtuar procesin e shërimit.