Skandali, materniteti i Peshkopisë vetëm me një mjek gjinekolog. Mjeku Balliu: S’ka anestezist, në rrezik jeta e pacientëve

Prej 5 muajsh, në maternitetin e Peshkopisë, ka vetëm një mjek obstetër-gjinekolog, të cilit i duhet të përballojë një fluks të madh pune. Deri në vitin 2010, në këtë spital punonin 4 mjekë në këtë pozicion, por me kalimin e viteve, situata nuk është njësoj. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, mjeku i vetëm obstetër-gjinekolog në maternitetin e Peshkopisë, Bajram Balliu tregon vështirësitë me të cilat ndeshet përditë në profesionin e tij. Ai ngre alarmin për mungesën e anestezistit pasi Ministria e Shëndetësisë nuk i ka lidhur kontratë dhe thekson se pacientët i dërgojnë në Tiranë, çka përbën një rrezik për jetën e tyre gjatë transportit.Prej sa vitesh punoni si mjek obstetër-gjinekolog?
Prej 10 vitesh punoj si mjek obstetër-gjinekolog. Pas mbarimit të specializimit për Obstetrikë-Gjinekologji në Akademinë Mjekësore të Moskës “I.M.Sechenov”, në vitin 2007, u emërova mjek obstetër-gjinekolog në maternitetin e Peshkopisë, në Spitalin Rajonal Dibër.
Sa mjekë të këtij specialiteti punojnë në këtë spital?
Nga viti 2007-2010, punonim 4 mjekë; nga 2010-2015, tre mjekë; nga 2015-2017, dy mjekë, dhe nga korriku 2017 dhe në vazhdim, punoj i vetëm duke kryer volumin e punës së 4 mjekëve.Cilat janë disa nga problematikat që hasni në vendin e punës?
Së pari, është një ngarkesë shumë e madhe pune, e cila duhet përballuar vetëm, siç janë: vizitat ambulatore, ekografitë obstetrikale dhe gjinekologjike, shtrimet, patologjitë e barrës dhe ato gjinekologjike, lindjet, operacionet. Së dyti, mungon mjeku anestezist-reanimator pasi Ministria e Shëndetësisë nuk i ka lidhur kontratë, dhe rastet urgjente apo jo urgjente, i transferojmë për në Tiranë. Është një problem shumë i madh, sepse në disa raste rrezikohet jeta e pacientëve gjatë transportit.
A mungojnë aparaturat në këtë spital?
Mungon kardiomonitori, dhe kemi mungesa të gjakut. Gjithashtu, mungojnë pajisjet për sallën e operacionit, mungojnë ose janë të vjetruara instrumentet kirurgjikalë, krevatet e lindjes dhe të abortit janë të vjetër dhe aspak komodë për pacientët, mungon kolposkopi e vakum-aspiratori. Madje dhe ashensori është prishur dhe i transportojmë pacientët me barelë nga kati në kat. Prej 6 muajsh shërbimi në spitalin e Peshkopisë ka degraduar totalisht.


A ka mjaftueshëm medikamente?
Në spitalin tonë nuk ka pasur mungesa të theksuara të medikamenteve, përveç-se në ndonjë rast të rrallë, për të cilën pacientët duhet t’i blejnë në farmaci.
A keni pasur konfrontime me pacientet?
Nuk kam pasur asnjë konfrontim me pacientët, por hatërmbetje nga ana e tyre ka. Vijnë për të marrë një shërbim dhe nuk e marrin siç duhet, vijnë për të lindur ose për t’u operuar, dhe jam i detyruar t’i përcjell për Tiranë, për shkak se nuk kemi mjek anestezist.
A jeni të kënaqur me pagën që merrni?
Nuk jam i kënaqur me pagën. Familja ime banon në Tiranë, dhe mua më takon bonusi që ju është premtuar mjekëve specialistë, që vijnë nga Tirana për të punuar në rrethe. Përballoj një fluks të jashtëzakonshëm pune, dhe nëse nuk do të ma japin bonusin, nga 1 janari 2018, nuk do të punoj më. Të punosh në këto kushte, ku shteti nuk po i përmbush aspak detyrimet e veta, është shumë e vështirë. Dhe nëse ndodh e keqja, fajtori dihet: është vetëm mjeku e askush tjetër, as drejtori, as ministri, as pushteti.
Familja juaj jeton në Tiranë. Sa e vështirë është kjo për ju?
Është absolutisht e vështirë. Por shpresoj që të vijë ndonjë koleg tjetër, që të paktën për fundjavë, të jem pranë familjes, pranë 2 fëmijëve të mi që ka muaj që s’i kam parë. g.sh

Share With:



791 Views