Solli në jetë vajzën gjatë tërmetit, e reja: Kisha frikë mos më braktisnin mjekët!
Elda Papingu ka një histori të veçantë për të na treguar. Ajo ka sjellë në jetë vajzën e saj në kohën e lëkundjeve të mëdha të tërmetit të datës 15 janar. Elda rrëfen momentet e frikës teksa ishte e shtrirë në sallën e operacionit, kur infermierët u trembën dhe ajo pati frikë se mos e braktisnin në sallë. Fatmirësisht tregon Elda, doktorët që asistuan lindjen e saj, u treguan mjaft profesional duke qetësuar atë dhe duke u siguruar që çdo gjë të shkonte shumë mirë.
“Në momentin që unë isha duke sjellë në jetë vajzën time, filloi të binte tërmet. Nuk e kuptova për momentin pse po tundesha, por më kapi pak paniku. Në atë moment dëgjoj infermieret që thonin “tërmet, tërmet”. Mendova se do largoheshin të gjithë. Në ato momente e humba, pata pak rritje tensioni nga frika, pastaj dëgjova doktorët që insistuan dhe thanë mos përhapni panik.
Isha me spinale dhe i dëgjoja të gjitha bisedat. U frikësova se mund të largoheshin mjekët dhe të më linin aty. Unë e kisha të planifikuar ndërhyrjen një ditë tjetër, por goca ime vendosi të vinte në jetë ditën e tërmetit.
Dua të falenderoj mjekët që asistuan, dr.Rexhina Bajon dhe doktor Genc Kabilin, pasi falë tyre unë dhe goca ime jemi mirë dhe operacioni shkoi shumë mirë, sepse ishin vërtetë lëkundje shumë të forta. Mu duk e pabesueshme dhe doktorët mu dukën heronj kur kujtoj panikun që kapi infermierët. E kapën situatën në çast dhe u thanë atyre të mos përhapnin panik. Doktorët nuk e menduan fare largimin, kurse infemrierët bërtitën.
Do mbetet gjatë në kujtimet e mia, kur të rritet do t’ia tregoj vajzës.”, tha Elda në Dritare TV/ J.H/dritare.net