Steriliteti i grave? Duhen hormone mashkullore

Problemi i sterilitetit të femrave ka qenë në rritje të vazhdueshme dhe jo çuditërisht shumë prej tyre zgjedhin t’i nënshtrohen një fertilizimi in vitro (IVF). Në mesin e metodave të ndryshme, tani janë të shumta klinikat që “administrojnë” testosteronet nëpërmjet ndihmës së xheleve të posaçme ose Patch të thjeshtë. Kjo e fundit është një lloj terapie që do të ofronte mundësinë e rritjes së prodhimit të vezoreve. Ndërkohë, shumë gra përdorin edhe doza tepër të larta suplementesh me bazë dehidroepiandrosteron (DHEA): kjo substancë, që në momentin që asimilohet nga organizmi kthehet në testosteron. Dhe kështu rruga drejt shtatzënisë përmes fertilizimit in vitro duket se bëhet më e lehtë. Por studimet në këtë drejtim duket se janë shumë kontradiktore. Nga një anë  përgënjeshtrojnë efikasitetin e xheleve me bazë testosteroni dhe nga ana tjetër efektet pozitive të DHEA. Substanca e fundit, shumë në modë në vitet e fundit, duket të jetë shumë e rëndësishme për vonimin e plakjes dhe për të përmirësuar masat muskulare. Morali i kësaj “përralle”: janë të pamjaftueshme studimet që tregojnë se hormonet mashkullore janë efektive në  pjellorinë femërore. Në këtë drejtim, ka një hulumtim të ri të botuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences” (PNAS), i cili sugjeron se si hormonet androgjen, edhe ato mashkullore, duket se janë të dobishme në favorizimin e folikulave. Këto të fundit janë struktura që kanë detyrë precize për të mbajtur dhe për të lëshuar një vezë që pastaj mund të fekondohet nga sperma mashkullore. Sipas studiuesve, rezultati i fituar nga studimi është shumë i rëndësishëm për shkak se ai jep informacion të ri për të përmirësuar pjellorinë e grave që kanë një rezervë të vogël ovariale (vezësh) ose që nuk prodhojnë folikula edhe me ndihmën e ilaçeve të posaçme. “Ka një debat të ndezur në fushën e endokrinologjisë riprodhuese për rolin që hormonet mashkullore kanë në pjellorinë femërore. Studimi ynë nuk zgjidh kundërshtimet, por së bashku me disa studime të mëparshme të grupeve të tjera, thotë se ne nuk mund të “likuidojmë” hormonet mashkullore. Ato në fakt mund të bëjnë diçka të dobishme”, shpjegon dr. Stephen R. Hammes, një profesor i endokrinologjisë në Universitetin e Rochester (Shkollës së Mjekësisë dhe Stomatologjisë). Hammes së bashku me Aritro Sen, asistent profesorin e kërkimeve Endokrinologjive në Fakultetin e Mjekësisë, kanë zbuluar se hormonet mashkullore nxitin zhvillimin e folikulës në dy mënyra. Para së gjithash, parandalojnë veten nga “vdekja” e parakohshme, duke përdorur molekula që bllokojnë vetëshkatërrimin e qelizave (Apoptosis). Hipoteza e studiuesve është se në qoftë se një grua nuk do të prodhojë sasi të mjaftueshme androgjenësh, shumica e folikulave vdesin para se të arrijnë në fazën e pjekurisë. Një tjetër arsye pse hormonet mashkullore lehtësojnë pjellorinë është ajo që i bëjnë qelizat ovarike më të ndjeshme ndaj hormonit stimulues të folikulit (FSH) që nxit rritjen e folikulës.

Faktorët negativë të pjellorisë femërore

Specialistët thonë se ka një tërësi faktorësh të cilët ndikojnë negativisht. Problemi me ovulimin është një nga faktorët që ndonjëherë femrat nuk mund të ovulojnë (lëshojnë vezë) ose e bëjnë këtë gjë shumë rrallë. Kjo mund të ndodhë për shkak të sëmundjeve të ndryshme, defekte gjenetike apo dëmtime fizike. Ndërsa sasia dhe cilësia e vezëve ulet me rritjen e moshës. Femrat te fillimi i të 20-tave kanë dy herë më shumë shanse se femrat që janë në fund të 30-tave. Një pjesë e mirë e femrave të cilat nuk mund të kenë dot një fëmijë shkak kanë pasur bllokimin e tubave të fallopit për arsye të sëmundjeve seksuale të transmetueshme, defekt të qelizave të mitrës kur vendosen në vend të gabuar, si dhe rezultat i një operacioni të zonës së legenit. Problemet me mitrën mund të shkaktojnë mosmbjelljen e vezës. Problemet e tjera mjekësore si: diabeti, epilepsia, tiroidet dhe problemet me zorrët. Steriliteti te meshkujt shkaktohet kryesisht nga mosprodhimi i spermës. Sasi e pakët e spermës, e pamjaftueshme ose cilësi e dobët sperme që lëviz shumë ngadalë. Tjetër faktor është edhe infeksioni ose dëmtimi i testikujve, nga mjekimet me radioterapi apo dëmtim gjatë aktiviteteve sportive. Infeksion bakterial i mëparshëm. Operacion i hernies që mund të ketë dëmtuar tubat apo kufizuar furnizimin me gjak. Edhe diabeti, mjekimet apo operacioni i rrugëve të urinës, mund të shkaktojë dalje retrograde, kur sperma udhëton mbrapsht pra shkon në fshikëz në vend që të dalë jashtë.

Share With:
Translate »
1115 Views