Stërvitjet gjatë shtatzanisë e lehtësojnë procesin e lindjes
Mbajtja e një stili aktiv të jetesës gjatë shtatzënisë mund ta zvogëlojë periudhën kohore që e kaloni gjatë lindjes, thotë një studim.
Ka shumë përfitime të dëshmuara të ushtrimeve fizike gjatë shtatzënisë, duke filluar nga lehtësimi i dhimbjeve të shpinës, ngritja e niveleve të energjisë e deri te ndihmesa për rikuperimin pas lindjes.
Sidoqoftë, hulumtimet e reja kanë zbuluar se ushtrimet fizike ndikojnë edhe në periudhën kohore që nënat do ta kalojnë gjatë lindjes.
Ekipi i hulumtuesve, të udhëhequr nga profesori Ruben Barakat, kishin kryer një studim me 508 gra të shëndetshme të cilat i kishin ndarë në dy grupe.
253 prej atyre femrave ishin vendosur në një grup kontrolli, ndërkaq 255 ishin vendosur në një grup për ushtrime fizike.
Ato në grupin e dytë kishin bërë ushtrime modeste aerobike gjatë shtatzënisë së tyre.
Pastaj hulumtuesit i kishin analizuar shumë faktorë gjatë lindjes së femrave, duke përfshirë periudhën kohore që e shpenzojnë ato gjatë lindjes, pesha e fëmijës, etj.
Ata kështu kishin konstatuar se nënat të cilat kishin bërë ushtrime fizike gjatë shtatzënisë kishin shpenzuar dyfish më pak kohë gjatë lindjes sesa ato të grupit të parë.