Studimi i ISHP-së dhe UNFPA në Shqipëri: 8% e fëmijëve ngàcmohen ose abùzohen sèksualisht
Raporti i fundit i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik dhe UNFPA në Shqipëri tregon se reth 8% e të fëmijëve të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç janë ngacmuar seksualisht(prekur, përkedhelur) gjatë jetës së tyre. Ndërsa prevalenca e marrëdhënieve seksuale gjatë gjithë jetës me një të rritur (e tentuar dhe / ose e përjetuar) sipas studimit është rreth 3%.Në gjetjet kryesore thuhet se prevalenca e abuzimit fizik dhe seksual gjatë 18 viteve të para të jetës (gjatë fëmijërisë) ishte përkatësisht 41.5% dhe 14.7%. Situata është alarmante duke marrë në konsideratë se jo të gjitha rastet janë denoncuar në institucionet përkatëse apo janë raportuar në media. Sipas ekspertëve të shëndetit publik abuzimi seksual, përfshinë sulmin seksual ose përdhunimin ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që është një problem i madh global i shëndetit publik, që shkel të drejtat e njeriut dhe krijon shumë pasoja, sociale, psikologjike dhe shëndetësore afatshkurtëra dhe afatëgjata. Për psikologët, ngacmimi seksual ashtu edhe abuzimi seksual ndikon ne zhvillimin e vlerësimit për veten. Ndikon në nënvlerësim, e bën më të vështirë socializimin me bashkëmoshatarët. Trumat seksuale dëmtojnë zhvillimin psiko-motor të fëmijëve dhe në rastin e adoleshëntëve dëmtojnë marrëdhëniet intime në të ardhmen. Fëmijët e traumatizuar në shume raste kanë tendencën të jetojnë në një botë të fantazisë, kanë probleme me vëmendjen, bëhen me asocial në mënyrë që të mbrohen nga eksperienca e papërballueshme për moshën e tyre. Trauma seksuale mund të jap efekte shkatërruese tek zhvilllimi i fëmijës, moralit dhe kjo e ndikon fëmijën për një kohë të gjatë, mbase gjithë jetën e tij. Përsa i takon të dhënave në nivel global, abuzimi seksual i fëmijëve dhe adoleshentëve ka një prevalencë të tillë 28% deri në 33% të grave dhe 12% deri në18% të burrave Përsa i takon studentëve, pra të rinjëve në universitet, 51% e tyre kanë raportuar se kanë përjetuar forma të abuzimit emocional deri në atë seksual gjatë jetës së tyre; kryesisht në moshë të mitur. Gjetjet kryesore të studimit, ekspertët e shëndetit publik dhe ata të UNFPA-së në Shqipëri, i prezantuan dhe në komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë si dhe në NënkomisioninParlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas me qëllim njohjen e situatës dhe nevojën për rishikimin e legjislacionit për ashpërsimin e mëtjeshëm të masave për abuzuesit seksual.Kuadri ligjor i Shqipërisë ka një qasje të mirë ndaj ligjit europian por përsa i takon denoncimeve apo dëmimeve, Shqipëria mbetet ende në nivele të ulta. Ekspertët e Shëndetit(ISHP) dhe UNPA në Shqipëri janë të shqetësuar në lidhje me mjedisin në të cilën edukohen dhe rriten fëmijët. Ndaj, ata theksojnë se është e nevojshme që secili aktor të bëjë gjithçka është e mundur për sigurinë e jetës dhe shëndetit të fëmijëve dhe të adoleshentëve. Raporti thotë se fëmijët duhet të jenë në gjendje të kenë përvoja seksuale në kohën e duhur të zhvillimit duke bërë zgjedhjen e tyre. Kur abuzimi seksual ndodh në fëmijëri, ai mund të pengojë rritjen normale shoqërore dhe të jetë shkak i shumë problemeve të ndryshme psiko-sociale. Studimet e bëra në Shqipëri gjatë viteve të fundit, tregojnë se rezultatet dëshmojnë për një prevalencë të lartë të keqtrajtimit të fëmijëve ku format më të shpeshta të abuzimit gjatë fëmijërisë ishin ato fizike (40%), psikologjike (50%), seksuale (6%), dhe të qënit dëshmitarë të keqtrajtimit të nënës (rreth 30%).