Të hënën nis viti i ri akademik, kushtet për t’u pranuar në auditore

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha ka njoftuar se të hënën, datë 18 Tetor, do të nisë zyrtarisht viti i ri akademik. Nga ana tjetër, viti i parë master do të nisë me datë 10 Nëntor.

Hoxha ka bërë të ditur se deri më tani janë vaksinuar 50% e studentëve dhe ka shtuar se në auditore do të pranohen dhe studentët që kane marrë vetëm një dozë të vaksinës.

Rektori ka sqaruar se të pavaksinuarit duhet të paraqesin tampon ose dokumentin pse nuk janë vaksinuar.

“Janë vaksinuar rreth 50% e studentëve në Universitetin e Tiranës. Do të pranohen dhe studentët që kanë kryer vetëm një dozë. Çdo cikël studimi do të vijojë mësimin më 18 tetor, ndërsa masteri i vitit të parë, do të nisë më 10 nëntor. Universiteti i Tiranës është ai që ka numrin më të madh të studentëve. Ne jemi në procesin e ndërgjegjësimit të nevojës për vaksinim dhe për të vazhduar mësimin në kushtet normale. Ka 2 vite e ca që studentët tanë nuk frekuentojnë audotiret. Mësimi online, edhe pse është përmirësuar në mënyrë cilësore dhe komunikimi student-pedagog ka qenë i mirë, gjithsesi ky lloj komunikimi, nuk është ai normali, kështu që ajo që kemi konstatuar është dhe një dëshirë, padurim që studentët t’i kthehen auditorit. Studentët që vijnë për herë të parë në universitet janë më të vaksinuarit. Kemi mundësinë duke iu rikthyer normalitetit. Do të shikojmë se si do të jetë situata më tej. Ne nuk jemi organe kompetente për të parashikuar shpërndarjen, por duke parë dhe eksperiencën e vendeve të tjera, afër dhe larg nesh, auditoret janë të hapura dhe programet mësimore po zhvillohen normalisht”, ka thënë Hoxha mes të tjerash.

Share With:
Translate »
30 Views