Të miturit e burgosur bëhen “heronj” për 120 fëmijë në Tiranë, ja projekti pilot!

Kopshti numër 17 në Tiranë është i pari ku praktikohet projekti pilot përmes të cilit të rinjtë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar, kanë kontribuar në realizimin e mobiljeve të kopshtit.
“Më vjen mirë që sot jemi bërë kaq shumë për të lënë një gjurmë në rritjen e 120 fëmijëve në Njësinë 7, me një kopësht totalisht të ri, për të cilin nuk do të mjaftonte as një libër për të treguar të gjitha peripecitë, derisa kemi mbërritur këtu. Shumë njerëz shohin gjëra të bukura dhe s’e kuptojnë që vetëm me shpronësime, kontrata, gjyqe, apelime, sa mund duhet për të mbërritur në këtë produkt. Megjithatë, rëndësi ka fundi dhe çdo peripeci ia ka vlejtur kur produkti është kaq i bukur”, theksoi ryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Ai falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve i cili ndodhej bashkë me të, për angazhimin e të rinjve të cilët vuajnë dënimin në këtë institucion, në realizimin e bazës së nevojshme materiale për kopshtin. Veliaj tha se ky projekt pilot do të shtrihet edhe në institucionet e tjera, si çerdhe dhe kopshte, ku ata që vuajnë dënimin, të realizojnë të mira për komunitetin.

“Falenderoj drejtorin Çuko për kontributin e atyre që vuajnë dënimin, që kanë gjetur një mënyrë se si të rehabilitohen në shoqëri, duke bërë një punë konkrete, duke na ofruar shërbime konkrete përmes aftësive dhe talentit që kanë.Është një mënyrë fantastike se si këtë projekt pilot ta shtrijmë në kohë, në të gjitha kopshtet, shkollat e nevojat e tjera që kemi. Kemi shumë nevoja për mirëmbajtje dhe fare mirë ata që kanë nxjerrë disa mësime nga e kaluara e tyre dhe duan të rehabilitohen në shoqëri, jemi gati jo vetëm të përdorim shërbimet e tyre, por edhe t’i konsiderojmë si staf në të ardhmen, në disa prej këtyre punëve”, deklaroi Veliaj.

Nga data 1 qershor, pranë kopshteve të Tiranës do të nisin regjistrimet e reja të fëmijëve. Veliaj bëri të ditur se gjatë këtij procesi do të merren parasysh dhe nevojat ekonomike të familjeve, ndërsa siguroi për rritje të mëtejshme të standardeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko e cilësoi këtë rast si tregues të nevojës për ndryshimin e drejtësisë penale për të miturit, mbi bazën e parimit të interesit më të lartë të të miturve. “Përveç vuajtjes së dënimit që kanë dhënë gjykatat, interesi më i madh i fëmijës është riintegrimi i tij në shoqëri, pasi të mbarojë vuajtjen e dënimit dhe mospërsëritja e fajit që kanë bërë. Është shumë e rëndësishme që brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, t’u japim të gjitha mundësitë për kurse profesionale, për të bërë punë sipas interesave të tyre vetjake dhe fushave që ata kanë prirje dhe ky rast tregon shumë qartë këtë lloj domosdoshmërie”, tha Çuko.

Share With:
Translate »
775 Views