Tiranë, përurohet këndi i lojrave për fëmijët me aftësi të kufizuara

Në Kombinat, në Tiranë u përurua këndi i parë i lojërave, për fëmijët me aftësi ndryshe, ku do të mund të argëtohen të gjithë fëmijët e kësaj zone. Ndërtimi i këtij këndi u bë nga bashkia e kryeqytetit, me mbështetjen e zyrës së kombeve të bashkuara dhe shihet nga kreu i bashkisë Veliaj, si një shenjë që Tirana është kthyer në një qytet miqësor për fëmijët. “Më vjen mirë që këndi ynë i 20, është edhe një park i veçantë, ku për herë të parë mund të luajnë fëmijët me aftësi ndryshe, duke qenë se këtu në Kombinat kemi një nga qendrat e trajtimit. Do të thotë që edhe ngjyrat që janë përdorur, edhe lodrat, edhe aksesi i këndit, është përshtatur për fëmijët me aftësi ndryshe, është bërë i tillë që të japim një mesazh: Në qytetin e Tiranës nuk lëmë askënd pas. Askush nuk duhet të ndihet i vetëm, prej faktit se nuk akseson dot lodrat apo shërbimet, çerdhet, kopshtin, apo shkollën. Ne besojmë se të gjithë fëmijët janë engjëj”, u shpreh kreu i bashkisë, erjon Veliaj. Ky është këndi i 20 që bashkia ka ndërtuar në thuajse 2 vjet, ndërkohë janë planifikuar të ndërtohen edhe 20 të tjera në çdo lagje të qytetit. “Këto janë vetëm 20 kënde lodrash, plani është të bëjmë edhe 20 të tjera, por që të bëjmë 20 të tjera, duhet të mirëmbajmë këto që kemi. Kështu që, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm këtu në Kombinat, por kudo tjetër: Këto kënde bëhen me shumë sakrifica, ndaj e vetmja gjë që mund të bëjmë në shenjë mirënjohje, është që t’i mirëmbajmë, ç’ka na mundëson që të punojmë me një vend tjetër, teksa jemi kujdesur për këto që kemi ndërtuar deri tani”, tha Veliaj. Projektet për zonën e Kombinatit, do të vijojnë me rregullimin e segmentit nga mbikalimi tek kombinati ushqimor, deri në qendrën e kombinatit dhe rehabilitimi i sheshit Garibaldi, në qendër të kësaj njësie.

Share With:
Translate »
804 Views