Tragjedi në liqenin e Shkodrës, rrjedha u merr varkën, mbyten 2 fëmijë

Tragjedi në Malësinë e Madhe. Dy të mitur kanë humbur jetën në ujërat e liqenit të Shkodrës në vendin e quajtur Grilë, teksa kishin hyrë për t’u larë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur orës 16:00, kur dy kushërinj me inicialet E. T,13 vjeç dhe S. T. 15 vjeç, banues në fshatin Gruemirë kanë humbur jetën.

Nga informacionet paraprake që ka mundur të mbledhë policia, mësohet se fëmijët kishin hipur në një varke të vogël së bashku me 5 persona të tjerë dhe kur kanë arritur në thellësi janë hedhur në ujë për t’u larë.

Sipas policisë, varkën e ka marrë rrjedha e liqenit, ku 5 shtetas kanë mundur të dalin në breg ndërsa dy të miturit e lartpërmendur nuk kanë mundur të shpëtojnë.

Shërbimet e Policisë së bashku me disa banorë  të fshatit rreth orës 17.45  kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga liqeni dhe dërgimin e tyre në morgun e spitalit të Shkodrës.

Kjo është tragjedia e dytë brenda 24 orëve, pas asaj të Portonovës në Zvërnec, ku një 10-vjeçare është mbytur teksa ishte futur për t’u larë në det me nënnën dhe motrën e saj.

Ndërkohë në të njëjtin plazh, vetëm një muaj më parë u mbytën 3 persona, njëri prej të cilëve Benjamin Ferati nga Maqedonia i cili ishte futur në det për të shpëtuar dy vajza.

Share With:
Translate »
728 Views