Tronditëse, braktis gruan me dy fëmijë dhe krijon familje paralele në Itali.

Ka qenë një rrëfim mes lotësh ai i Elenës, vajzës 17 vjeçare nga qyteti i Bulqizës e cila kishte ardhur në studion e “Ka një mesazh për ty” për të ftuar mamanë e saj Manushaqen. Historia e tyrë zë fill mbi 14 vite më parë kur kryefamiljari, babai i Elenës braktisi familjen, bashkëshorten me dy fëmijë (tre dhe katër vjeç në atë kohë) dhe u nis drejt Italisë.
Kronologjia e ngjarjeve të treguara nga adoleshentja, nuk i ngjanin atyre të zakonshmeve ku burri i shtëpisë lë familjen për të krijuar një jetë më të mirë në emigracion. Gjithçka nisi me një pabesi: “Babi i dha disa dokumenta mamit që gjasme t’i plotësonte për të shkuar në Itali. Duke i besuar verbërisht mami nuk e kuptoi që ato kishin qenë për shitjen e shtëpisë. Ai kishte vendosur të largohej në Itali pa ne. Disa ditë më vonë dikush na erdhi duke na thënë që duhej të lironim shtëpinë sepse ishte shitur” – është shprehur 17-vjeçarja. E mbetur mes katër rrugëve, mamaja e Elenës merr atë dhe djalin dhe kthehet në shtëpinë e prindërve të saj. Për disa muaj nuk u bë fare i gjallë e më pas burri e kontakton në telefon dhe i thotë që të vazhdonte jetën e saj sepse ai nuk do kthehej më.
E pyetur nga Ardit Gjebrea për arsyet që mund ta kenë shtyrë një baba të braktisë familjen e tij, Elena pohon se ato mund të jenë të vjetra. Sipas mamasë së saj, i ati linte në bixhoz të gjitha paratë që fitonte. Përveç kësaj ai frekuentonte lokalet e natës me femra të tjera dhe shpesh herë i duhej Manushaqes të dilte e ta kërkonte se ku mund të ishte. “Babi e dhunonte mamin, e ka bërë edhe kur ka qenë shtatëzënë me mua. Pavarësisht të gjithave ajo e donte”, sqaron Elena. Ndoshta këto mund të kenë sjellë ftohje në marrdhëniet mes çiftit e cila përfundoi me braktisje të njëanshme nga ana e atij.
Kaluan shumë vite dhe dy fëmijët u rritën vetëm me imazhin e babait në fotografi dhe nga fjalët e mira e shpresën e ushqyer nga mamaja se i ati do kthehej një ditë. Elena me vëllain dhe mamin e saj ndërkohë ishin zhvendosur në shtëpinë e dajës në qytetin e Durrësit ku jetojnë dhe sot kur mësuan se babai i tyre ishte kthyer në Shqipëri. “Kur isha në klasën e dytë mami na dërgoi në Bulqizë sepse mësuam se babi kishte ardhur tek familja e tij. Erdhi e na takoi, tha që ishte penduar e do kthehej prapë tek ne. Ishte hera e parë që e takonim dhe nuk e kishim atë ndjesinë e babit. Na tha që duke filluar nga sot do jemi një familje, do kujdesem për ju dhe do kontaktojmë. Iku të nesërmen në Itali dhe nuk u kujtua më”, tregon mes lotësh 17-vjeçarja.
Elena thotë se babai nuk i’a ka dhënë divorcin mamasë por kjo nuk e ka penguar që paralelisht të martohet në Itali me një rumune, me të cilën ka dhe një djalë. Mos mbajtja e premtimit që u kishte bërë fëmijëve, e bëri Manushaqen të shuajë edhe atë pak dashuri e shpresë që i kishte mbetur ende për bashkëshortin e saj. Por fëmijëve u duhej më shumë kohë për të kuptuar realitetin e hidhur, atë që babai i ka braktisur dhe të gjitha premtimet që bënte nuk merrte mundimin që t’i mbante. Helena dhe vëllai i saj e përjetuan këtë ndjesi vitin e kaluar kur e takuan babain për herë të dytë që prej largimit të tij. Ata ishin për pushime verore në Itali tek të afërmit e tyre dhe i kërkuan babait që të takoheshin. Nuk ishin më ata fëmijët “justifikues” ndaj veprimeve të tij por kishin shkuar për t’i kërkuar llogari e për të kuptuar se përse i kishte braktisur.
“Ne mbajtëm qendrim. Kur e shihja në sy kisha urrejtje dhe më vinte të qaja. E urreja sepse na shihte në sy dhe qeshte. Kishte tipin e perbuzesit. Ai mendonte se ne kishim nevojë për para por dashuria nuk blihet me para. Ne nuk kishim nevojë për lekë sepse falë Zotit dajat dhe tezet kanë bërë që të mos na mungojë asgjë. Ai na tha që keni qenë të vegjël dhe nuk i kuptoni ca gjëra”, thotë me lot në sy adoleshentja për babain e saj.
Por pikërisht se Elena nuk është më e vogël dhe i sheh gjërat në një tjetër këndvështrim, kishte ardhur në program për t’i bërë të ëmës një mesazh. Ti kërkonte të falur që e ka mërzitur dhe i ka shtuar rrudhat në fytyrën e saj e ta falenderojë për gjithçka ka bërë për të. Mbi të gjitha kishte ardhur për ti thënë që të mos ndihet e vetme sepse bashkë me vëllain do jenë krahu i djathtë dhe krenaria e saj. Helena i ka premtuar të ëmës se do bëjë të pamundurën që ata si familje të jetojnë në një tjetër shtëpi, vetëm të tre, meqënëse daja i tyre ka sakrifikuar shumë duke punuar e ndarë apartamentin me ta prej shumë vitesh. Prandaj Elena i tha të ëmës që të mos ndihet e vetme sepse ka ardhur koha që fëmijët të kontribuojnë bashkarisht për mamanë e tyre.

Derisa ka parë që ishte e bija nga krahu tjetër i murit, Manushaqja ishte në një gjendje akthi sepse mendonte se do përballej me ish bashkëshortin. Duke marrë frymë e lehtësuar ajo i ka pohuar Ardit Gjebresë se e ka harruar prej vitesh bashkëshortin e saj. E teksa përjetonte e emocionuar mesazhin e të bijës, nuk ka mundur të mbajë lotët nga një videomesazh që djali i saj Ernesto i kishte dërguar nga Italia. “Ti ke qenë prind shembullor për ne. Falenderoj Zotin që më ka dhenë një nënë si ti. Dua të të premtoj se do jem krahu juaj i djathtë deri në fund të jetës. Ti je e shtrenjta jonë dhe s’do të të lemë asnjeherë vetëm”, është shprehur në videomesazh Ernesto i cili ka shkuar në Itali për të punuar që të ndihmojë familjen, pikërisht atë që i premtoi të ëmës.
Një familje e bukur që vuajtja veçse i ka forcuar më tepër dhe ka bërë të ndiejnë rëndësinë e të qënit bashkë, megjithse me një “krah” të cunguar…

Share With:
Translate »
793 Views