Takon mësuesen pas 27 vitesh: Bëhu nëna ime!

Kishte humbur mamanë biologjike, por Elida e dinte që kishte dhe një tjetër njeri që i kishte ridhënë jetën dhe kishte vite që e kërkonte. Ajo ishte mësuesja e saj që e kishte shpëtuar nga vdekja ndërkohë që  të gjithë i kishin humbur shpresat se Elida do jetonte. Në atë moment të vështirë të jetë së saj ajo ishte vetëm 14 vjeç.

Elida Skura, protagonistja e “Ka një mesazh për ty” ishte më se e lumtur kur arriti të takonte mësuese Valentinën me të cilën kishte humbur kontaktet prej 27 vitesh.  “Dyshohej se kisha të njëjtën sëmundje si e babait, por mësuesja më dërgoi në Sanatorium dhe falë saj sot kam jetën dhe familjen”, tregoi ajo e emocionuar në studion tonë.

41 vjeçarja u kthye pas në kohë duke treguar humbjen e babait që kishte punuar në minierën e Valiasit për shkak të sëmundjes së kancerit. “Isha vetëm 12 vjeç dhe mamaja më thoshte hajde të lajmë çarçafët sepse do na vijnë njerëz, por unë s’e kuptoja”, tregon ajo mes lotësh duke rrëfyer se ende nuk e konceptonte vdekjen në atë kohë.

“Pasi ndodhi arrita ta kuptoja, por nuk e pranoja dot. Thoja si mund të largohen kështu njerëzit që duam”.  Për gati dy vjet ajo e përjetoi shumë keq humbjen e tij. “Qaja, kisha temperaturë, të vjella ndaj mamaja më çoi në spital tek “Infektivi”, por atje i thanë merre në shtëpi pasi dyshonin se kisha sëmundjen e babait”.

Ndërsa të gjithë prisnin me dhimbje vdekjen e saj, shfaqet dhe ajo që Elida e quan ëngjëlli i saj. Mësuesja e saj e rusishtes, Valentina Troja. “Ajo ndodhej tek fqinjët e mi pasi vazhdimisht i ndihmonte dhe pyeti për mua. Kur i treguan gjendjen time ajo erdhi dhe menjëherë më dërgoi me taksi në sanatorium pasi atje kishte dhe nusen e vëllait”, kujton 41 vjeçarja. Atje e diagnostikuan me turbekuloz dhe e shëruan.

“Po të mos ishte ajo unë sot nuk do të isha këtu”, tregon Elida duke kujtuar se mësuesja e saj gjithmonë i kishte lënë mbresa se përveç se ishte e dashur ishte dhe e drejtë. “Në atë kohë ajo ishte beqare dhe gjithë dashurinë që kishte na e jepte ne”, kujton ajo. Mësuese Valentina tashmë në pension, e njohu menjëherë ish nxënësen e saj. “Është Elida Skura”, tha ajo e emocionuar. Kur e mori vesh se kishte ardhur enkas nga Gjermani për të ajo shtoi: “Sakrificë e madhe sepse unë s’kam bërë asgjë për të”.

Më pas Elida e falenderoi që ajo i kishte shpëtuar jetën duke i treguar që gjithmonë e kishte mbajtur në zemër dhe se kishte dhe një kërkesë për të. “Nëse nënën biologjike e kam humbur, dua që të bëhesh nëna ime se më ke dhënë jetën”, i tha ajo.

Ajo i dhuroi një varëse që simbolizonte pemën e familjes. “Ju jeni këtu në familjen time. Çdo gjë e kam prej jush” iu drejtua ajo mësueses. “Të gjithë nxënësit kudo që janë janë familja ime”, tha mësuese Valentina.

Share With:
Translate »
645 Views