Tronditet futbolli italian, dy javë pasi u bë baba gjendet pa jetë kapiteni i Fiorentinës
E gjithë bota e futbollit është tronditur nga vdekja e papritur e kapitenit të Fiorentinës. Davide Astori, mbrojtës i kombëtares italiane, u gjet i pajetë në dhomën e hotelit ku ishte vendosur skuadra e tij në pritje të ndeshjes kundër Udines sot: “Kapiteni i Fiorentinës, Davide Astori, vdiq papritur në gjumë natën e kaluar, ndërsa ishte në hotelin e ekipit duke pritur ndeshjen kundër Udineses. Ai u bë baba vetëm dy javë më parë”,- shkruan FTS Football na faqen zyrtare.
Lajmi konfirmohet edhe nga mediat ndërkombëtare, të cilat shkruajnë se 31-vjeçari u gjet i vdekur në një dhomë hoteli në Udine. Dyshimet e para janë për një atak kardiak që i ka marrë jetën në gjumë.
Edhe klubi i Fiorentinës ka dhënë lajmin e hidhur në një deklaratë zyrtare: “Fiorentina është thellësisht e tronditur dhe e detyruar të njoftojë se kapiteni Davide Astori ka vdekur”,- thuhet në deklaratën e klubit.
“Për këtë situatë të tmerrshme dhe delikate, dhe, mbi të gjitha, për respekt ndaj familjes së tij, ne apelojmë për ndjeshmërinë e medias”,- përfundon deklarata.
Ndeshja e sotme e Fiorentinës me Udinese është anuluar pas lajmit tragjik. “Pas lajmit tragjik të mëngjesit që goditi ACF Fiorentina dhe të gjithë botën e futbollit, ndeshja sot mes Udinese dhe Fiorentina është shtyrë”,- konfirmoi klubi.
Astori e nisi karrierën në AC Milan dhe më pas shkoi në Cagliari, klubi ku ai pati një ecuri shumë të mirë. Në vitin 2014, ai u transferua me huazim tek Roma e një vit më vonë bëri një transferim të ngjashëm me Fiorentinën.