U braktis nga e ëma pas lindjes, çifti rom rrit fëmijën: Nuk kemi ngrënë vetë për t’i blerë ilaçe
Elvira dhe Elezi, një çift nga komuniteti rom, janë kujdesur për foshnjën e një 19-vjeçareje, e cila e kishte lënë në derën e tyre.
Elvira ka treguar për “Shqipëria Live” në Top Channel se 10 vite më parë një 19-vjeçare ishte ndalur në shtëpinë e tyre, duke kërkuar një vend për të kaluar natën. Të nesërmen, ajo ishte larguar pa thënë asgjë dhe duke lënë fëmijën e saj aty.
“Vajza 19 vjeçare trokiti në derë, kërkoi të kalonte natën te ne, ma tha më ka zënë nata rrugës. Tha nuk di ta laj fëmijën. Ia lava unë. Vetëm 2 kanatjere i kishte marrë fëmijës. Në mëngjes ajo nuk ishte aty, e kishte lënë fëmijën aty, i thashë burrit ka ikur. Shkuam në polici, por policia nuk e gjeti. Nëna e djalit më mori në telefon pas një jave, i thashë hajde merre. Tha do vij po nuk erdhi më. Djalin e kishte lindur në Shkodër. Më vonë me vendim gjykate e morëm në kujdestari.
E kemi rritur me shumë sakrifica. Ndihma ekonomike është shumë e ulët. Djali merr 90 mijë lekë të vjetra, që shkojnë për ilaçe. Kam ndenjur vetë pa ngrënë dhe i kam blerë ilaçe djalit”, ka treguar Elvira.
Gruaja ka treguar se e kanë rritur vogëlushin me shumë vështirësi, por e duan si djalin e tyre. Ajo është diagnostikuar me kancer.
Elezi ka apeluar për një shtëpi, pasi banesa aktuale është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ka kushte mjerane, ku futet dhe uji.